Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës njoftojnë se kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.
Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.
“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”. Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftim.
“Zyrtarët e IPK-së në kuadrë të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, përfundon njoftimi i tyre.