Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

“E bëj për flamur”, Hava Shala tregon historinë se si “plaku” fali gjakun

Hava Shala gruaja e parë shqiptare që u bë pjesë e pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Havaja e ftuar në studion e “Vizioni i Pasdites” i moderatores Brikena Prifti në Vizion Plus, tha se shoqata ku ajo bën pjesë ka bërë të mundur faljen e më shumë se 4 mijë gjaqeve.

Ndërsa ka rrëfyer në studio disa nga historitë më interesante të faljes së gjaqeve.

Një histori e veçantë është një familje në rrethin e Rrozhajës e asimiluar, shkuam atje dhe ne shkuam vonë dhe i zoti i shtëpisë na priti dhe na nderoi siç e do oda shqiptare, dhe në fund nxori flamurin. Flamurin e kishte në një arkë të vjetër, dhe ai tha do të fal ngatërresën time në emër të këtij flamuri. Një rast tjetër shumë specifik që është se pajtimi i gjaqeve ishte një grua, motra e një vëllai të vetëm në Deçan, shkuam bashkë me një shok. Shkuam pasi ishte ajo zona më e vështirë, pasi kishte kontroll policor, plaku e mori Musën dhe i tha te goca ime do të shkojë Havaja. Shkova atje, ajo ishte e mërzitur, patëm bisedë emocionale, dhe ajo ishte e sëmurë nga shqetësimi. Në bisedë i thashë nuk duhet të sëmuresh, nuk duhet të brengosesh. Ajo papritur tha si e kaluar rrugën, tha a patët probleme me ata qafirët, për policinë dhe ushtrinë. I thashë ne erdhëm. Unë e pata elementin e barrës së saj, dhe i them kam dhe një pyetje, më tha po mundesh, ishte shtrirë dhe dalëngadalë u ul. I them po të ishte vëllai jot gjallë dhe do t’i thonim se çfarë do të bënte ai për Kosovën do ta falte gjakun apo jo, dhe ajo nuk u mendua e tha: Jam e bindur se vëllai im ka qenë trim dhe do ta falte gjakun, dhe pastaj tha s’ke nevojë të shkosh te motra tjetër, vajza ime do ta falë gjakun e dajës”, tha Havaja në studio.

Më tej ajo tregoi se si nisi të futej në familjet shqiptarë dhe të kërkonte faljen e gjaqeve, duke theksuar se u shty nga regjimi Jugosllav, pasi nuk donte tu jepte atyre asnjë alibi për vrasjen e shqiptarëve.

Pjesë nga biseda: .

Brikena Prifti: Ti e ke ndërmarrë këtë nisëm shumë shpejt, kur nuk konceptohej që një grua të pajtonte gjaqet?

Hava Shala: Po kanë kaluar shumë vite. Por duket sikur disa gjëra kanë ndodhur dje. Nëse sot flas për pajtimin e gjaqeve duket sikur dëgjoj sot babën tim: Ju të hyni në odën e burrave është çmenduri e madhe.

Brikena Prifti: Të arrestuan 17-vjeç pasi ishe kundër atyre parimeve të ish-Jugosllavisë?

Hava Shala: Unë isha e burgosur politike, por kam qenë nga natyre e bindur se dhe gratë munden. Mirëpo burgu sikur na barazoi neve që ishim në atë kohë më të “çmendur”. Viti 1990 ishte koha që është dashur të bëhet diçka për pajtimin e gjaqeve.

Brikena Prifti: Momenti kur dole nga burgu e more si iniciativë?

Hava Shala: Ideja nuk ishte e çastit, por ideja për të organizuar pajtimin e gjaqeve ishte domosdoshmëri e kohës. Në vitin 1988 kur isha në burgun e Lipjanit minatorët dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, u pajtuan 3-4 raste, por pastaj në mënyrë të vazhdueshme më ngacmonte ideja për pajtimin e gjaqeve, pasi isha e bindur pasi regjimi në atë kohë bëri të mundur që të dëmtoheshim ne si popull. Të burgosurit politikë në vitet 90-të ishin të rrallë. Në vitin 1990 ishte demonstratë gjithëpërfshirëse, e përgjakshme, por dhe një gatishmëri për t’i rezistuar këtij regjimi. Ishin vitet kur kam parë njerëz të vrarë, njerëz që humbën duart. Nuk ishin ato sekuenca, ajo ishte përditshmëria jonë.

Brikena Prifti: Megjithatë duhej një guxim i madh, çfarë ta jepte forcën?

Hava Shala: Ndoshta një pikë që nuk dua ta harroj, momenti kyç në fillim të shkurtit është dhënë për ta realizuar si lëvizje, ishin akuzat që u bënë në Pejë nga Ministri i Punëve të brendshme të Serbisë, që tha nuk i vramë ne ata njerëz, ata vranë njëri-tjetrin. E kam thënë dhe më përpara, ku i thashë vetes nuk do t’oi japim këtij regjimi alibi. Ishte koha kur duhet të bënim diçka. Në rrethanat normale ndoshta do t’i duheshin gruas vite të tëra për tu barazuar në nivelet akademike, por guximi në kohëra të caktuara i dha mundësi gruas të ndihej e barabartë. Ishte një mrekulli që burrat donin ta dëgjonin zërin tonë.