“Bixhoz i rrezikshëm” – kështu e përshkruan shumë media perëndimore vendimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të shpallur zgjedhjet e parakohshme legjislative.
Sipas një shkrimi në New York Times, Macron i dha të djathtës ekstreme shansin më të mirë për të qeverisur me Francën – për herë të parë që nga ‘regjimi Vichy’ i Luftës së Dytë Botërore.
“Për ata që kanë më shumë për të humbur nga e djathta ekstreme në pushtet – para së gjithash imigrantët dhe pasardhësit e imigrantëve të fundit – lajmi është i tmerrshëm. Macron, me siguri, shpreson se ky veprim është në dobi të tij. Por, mos gaboni: Franca është në rrezik”, shkroi New York Times.
Macron i shpalli zgjedhjet pasi koalicioni i udhëhequr prej partisë së tij të qendrës, Rilindja, pësoi humbje dërrmuese nga partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, këtë muaj.
Ai shfaqi besimin se populli francez do ta bëjë “zgjedhjen më të drejtë”.
“Rritja e nacionalistëve dhe e demagogëve është rrezik për kombin tonë, por edhe për Evropën tonë dhe për vendin e Francës në Evropë dhe në botë”, tha Macron.
Rrethi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 30 qershor, i dyti më 7 korrik.
Sondazhet e opinionit, përfshirë një të publikuar në ueb-faqen Le Point, e nxjerrin Tubimin Kombëtar të Marine Le Penit në epërsi, me afro 30 për qind të votave, në rrethin e parë.
Kjo do të thotë se nga muaji i ardhshëm, Macronit mund t’i duhet të qeverisë me kryetarin e Frontit Kombëtar, Jordan Bardella, si kryeministër.
Bardella përfaqëson gjithçka që Macron kundërshton: është anti-migrant, euro-skeptik, nacionalist dhe populist.
Në një intervistë televizive më 16 qershor, ai tha se “nuk do të jetë bashkëpunëtor i Macronit” nëse emërohet kryeministër.
“Nëse populli francez më beson, unë do t’i drejtoj politikat e vendit përmes propozimeve të qarta, përmes prioriteteve konkrete, fuqisë blerëse, sigurisë, migracionit… Dhe po, dua të ndërtoj një qeveri të bashkimit kombëtar, me njerëz që nuk vijnë domosdoshmërisht nga Tubimi Kombëtar”, tha Bardella.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Francë do të duhej të mbaheshin në vitin 2027, kur edhe mandati i Macronit skadon. Se përse ai ka vendosur të luajë me zjarrin në këtë mënyrë, ka mendime të ndryshme.
Ish-diplomati francez, Pierre Vimont, tani bashkëpunëtor i Institutit Carnegie Europe, thotë se Macron mund të jetë duke testuar publikun francez dhe aftësinë e ekstremit të djathtë për të qeverisur.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se performanca e Tubimit Kombëtar ka shkuar duke u përmirësuar viteve të fundit, për shkak të rritjes së pakënaqësisë sociale me establishmentin.
“Arsyeja kryesore e kësaj pakënaqësie – nëse shihen sondazhet e opinionit – ka të bëjë me rënien e fuqisë blerëse dhe me cilësinë e shërbimeve publike. Njerëzit mendojnë se arsimi dhe kujdesi shëndetësor nuk e kanë efikasitetin e njëjtë siç e kanë pasur. Shto këtu edhe migrimin! Ata ndjehen disi të frikësuar nga migrimi, kanë ndjenjën e humbjes së identitetit të tyre kombëtar”, thotë Vimont.
Sipas një studimi të vitit 2022, “92% e votuesve të Tubimit Kombëtar besojnë se shumica e imigrantëve nuk i ndajnë vlerat e Francës” dhe se “kjo krijon probleme për bashkëjetesën”.
Për më tepër, shumë në Francë i shohin rregullat e gjelbra të BE-së si barrë për bujqësinë e tyre. Po ashtu, argumentojnë se importet e grurit nga Ukraina – për shkak të koncesioneve të luftës – i kanë dëmtuar tashmë të ardhurat e fermerëve francezë.
Bardella zotohet se do t’i adresojë të gjitha këto.
Vimont thotë se nëse ai e formon Qeverinë e re, ndikimi i Macronit në çështjet e brendshme do të zvogëlohej ndjeshëm.
Me Kushtetutën franceze, ai do ta mbante rolin kryesor në mbrojtje dhe politikë të jashtme, si dhe do të negocionte traktate ndërkombëtare, por do të humbiste fuqinë për të vendosur në politikën e brendshme, thotë Vimont.
Kjo, sipas tij, do të mund të ndikonte pastaj edhe në çështje të tjera, si mbështetja për Ukrainën, pasi presidentit do t’i duhet miratimi i Parlamentit për të financuar secilën ndihmë nga buxheti vjetor i Francës.
Vimont thotë se e djathta ekstreme – nëse do – mund t’ia vështirësojë punën Macronit edhe në politikën e jashtme, së paku deri në një masë.
“Tubimi Kombëtar e ka thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë se është kundër çdo zgjerimi të ri të BE-së, qoftë me Ukrainën, Moldavinë apo shtetet e Ballkanit. Por, nuk mendoj se do të shkojë menjëherë në konfrontim të drejtpërdrejtë me presidentin për këtë çështje”, thotë Vimont.
Vimont shton se frika në vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë anëtarësimin në BE, mund të bëhet e pakapërcyeshme nëse Le Pen garon për presidente në vitin 2027 dhe fiton.
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, pajtohet se marrja e pushtetit nga partia e Le Penit do të ishte “lajm i keq” për Ballkanin Perëndimor, por, sipas tij, kjo nuk do të përkthehej në ndonjë ndryshim radikal të qëndrimeve të BE-së.
“Tani, nën dominimin e partive të qendrës së djathtë apo të majtë, zgjerimi nuk është prioritet për BE-në. Është taktikë për të blerë përkrahjen dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Lindore. Nëse gjatë mandatit të ardhshëm të Komisionit Evropian nuk do të ketë ndonjë zhvillim të veçantë, unë mendoj se projekti i zgjerimit – siç e njohim në formën klasike – do të jetë i vdekur”, thotë Visoka për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, fitorja eventuale e partisë së Le Penit do të mund të kishte ndikim të menjëhershëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se Le Pen ka lidhje me lobet dhe grupet serbe, qoftë në Francë, qoftë jashtë saj.
Flitet se partia e saj është e lidhur edhe me organizatën franceze “Solidarite Kosovo”, e cila, siç thuhet në ueb-faqen e saj, punon “në shërbim të të krishterëve të shtypur” në Kosovë.
“Duke i marrë parasysh këta parametra të përkrahjes historike politike, mund ta shohim Francën duke marrë një kurs më proserb dhe më kushtëzues ndaj Kosovës, duke u munduar që t’i vërë asaj kushte shtesë, ose t’ia rikthejë masat ndëshkuese, që duket se do t’i hiqen tash për tash”, thotë Visoka.
Që Kosova të shpëtojë nga kjo “dinamikë negative”, që “shfrytëzon elementin e fesë dhe të identitetit”, ai thotë se lidershipi i ri në BE, që është në krijim e sipër, duhet ta ndryshojë kursin politik.
“Për Kosovën është me rëndësi që BE-ja të ketë një qëndrim parimor dhe të përbashkët për shtetësinë e saj. Aktualisht nuk e ka. Shumë probleme që i ndodhin Kosovës me BE-në, me dialogun, vijnë si pasojë e mungesës së një qëndrimi të përbashkët ndaj shtetësisë së Kosovës. Shpresa ime është që lidershipi i ri në BE t’i tejkalojë këto mjegulli dhe të ketë një politikë të qartë, afirmative dhe të barabartë ndaj Kosovës, siç e ka me të gjitha vendet e tjera të rajonit”, thotë Visoka.
Pesë vende të Bashkimit Evropian – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.
E, Këshilli Evropian duhet të votojë unanimisht për një sërë çështjesh, të cilat shtetet anëtare i konsiderojnë si të ndjeshme – përfshirë këtu ato që lidhen me politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Në rastin e Kosovës, Franca ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë, e shpesh edhe vendimtar, në një varg gjërash – nga liberalizimi i vizave deri te Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Gjatë një bisede telefonike në prill, Macron i ka folur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, edhe për rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.s
Nëse Tubimi Kombëtar fiton shumicën në Francë, kjo do të ishte hera e katërt në historinë e vonë të këtij vendi që do të kishte ‘qeveri të bashkëjetesës’ – që do të thotë se shumica parlamentare dhe presidenti do të vinin nga grupime të ndryshme politike.
Të tilla qeveri janë formuar më 1986 dhe 1993 nën presidentin Francois Mitterrand dhe më 1997 nën presidentin Jacques Chirac.
Megjithatë, kësaj radhe mund të jetë ndryshe, pasi Tubimi Kombëtar nuk është parti tradicionale e qendrës së djathtë apo e qendrës së majtë, si në rastet e mëparshme. Ai është një grupim thellësisht nacionalist dhe populist i krahut të djathtë, i themeluar nga babai i Le Penit më 1972./REL