Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

E ëma rrezikon 6 vite burg, djali i sanitares së Alda Klosit me dy “AMG”, Prokuroria: T’i kalojnë shtetit

Prokuroria e Tiranës, gjatë seancës së sotme, ka kërkuar që dy AMG-të e djalit të pastrueses, që dyshohet se u blenë me paratë e vjedhura në banesën e Alda Klosit, t’i kalojnë shtetit.

Gjithashtu është kërkuar gjithashtu heqja e sekuestros për llogaritë bankare të Rozeta Dobit dhe bizhuteritë e vjedhura t’u kthehen personave që u janë marrë.

Ndërsa avokati i pastrueses Rozeta Dobi, e cila mori një shumë prej rreth 500 mijë euro në banesën e ish-zyrtares së shtetit dhe i fshehu në tubat e aspirimit, ka kërkuar që ajo të lirohet nga qelia.

Sipas përfaqësuesit ligjor, Rozeta Dobi i ka vdekur bashkëshorti dhe duhet të kujdeset për djalin e saj.

“Jemi treguar bashkëpunues dhe jemi arsyeja pse u zbulua gjithë ngjarja. Ata kanë edhe një fatkeqësi, ka ndërruar jetë bashkëshorti i Rozeta Dobit dhe ajo duhet te kujdeset për djalin. Kërkojmë dënimin në minimum dhe pezullim të dënimit me burg.

Ajo do të jete e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë, ajo ndihet e penduar për atë që ka bërë. Ne kërkojmë që çdo pasuri e deklaruar para datës së vjedhur ti kthehen Rozeta Dobit”, u shpreh avokati.

Grabiti 500 mijë euro, Prokuroria kërkon 6 vite burg, sanitarja kërkon mëshirë: Mi dha Alda Klosi

Prokuroria e Tiranës kërkon 6 vite burg për sanitaren e Alda Klosit, Rozeta Dobi, të cilës në banesë iu gjetën gati 500 mijë euro, ndërsa kërkon pezullimin e dënimit për djalin e saj, Havier.

Për Alda Klosin ish-zyrtares së lartë, bashkëpunëtore dikur e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj u kërkua 2.6 vjet burg. Seanca po mbahet në gjykatën e Tiranës.

Rozeta Dobi shprehu pendesë për atë që ka ndodhur.

“Kërkoj mëshirë, kërkoj falje. Shumën e parave mi dha Alda Klosi për ti mbajtur disa kohë në shtëpinë time më pas tia ktheja. Kam punuar gjithë jetën me punë të ndershme jo të bëj vjedhje. Klosi më tha mbaj lekët, se donte të fajësonte bashkëshortin për vjedhje”

Ka folur dhe për vjedhjen e unazës së Ervin Karamuçës. “Nuk kam lidhje fare me të”

Akuza

Rozeta Dobi dyshohet për vjedhe me pasoja të rënda dhe vjedhje më shumë se njëhere
Havier Dobi akuzohet për vjedhje me pasoja të rënda
Alda Klosi akuzohet për fshehje të pasurisë

Mbi 500 mijë euro në banesë, pastruesja e Alda Klosit dhe djali i saj paraqiten në gjykatë

Në gjykatën e Tiranës prokuroria do të japë pretencën për Alda Klosin sanitaren e saj Rozeta Dobi dhe djalin, Havier.

Rozeta, pastruesja akuzohet se vodhi një shumë të madhe eurosh në banesën e Alda Klosit, ish-zyrtares së lartë, bashkëpunëtore dikur e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Sanitarja Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi akuzohen për veprën penale të vjedhjes me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim.

Arrestimi i Alda Klosit u bë bazuar në dëshminë e sanitares Rozeta Dobi, e cila pretendon se shuma 500 mijë euro e gjetur në banesën e saj. Për Alda Klosin hetimi pasuror është veçuar dhe po vijon hetimi.