Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

E futi ilegalisht në Kosovë, çifti dyshohet se sulmuan njëri-tjetrin, zviceranët zbarkojnë në Kosovë për hetime

32-vjeçari nga Drenasi me nënshtetësi të Zvicrës që nga e mërkura ndodhet në paraburgim në Prishtinë me dyshimin se e shtyu për vdekjen të dashurën e tij argjentinase, 27 vjeçe, nga kati i gjashtë i hotelit ku po qëndronin në Kosovë.

Për këtë ngjarje kanë dalë detaje të reja.

Gazeta zvicerane “Blick” shkruan se të dy ata thuhet se kanë qenë të dehur në festën para dasmës së vëllait të të dyshuarit, sipas burimeve familjare. Kur janë grindur, dyshohet se kanë sulmuar njëri-tjetrin. Burri ka pësuar lëndime edhe në gjoks, raporton Gazeta Express.

Gazeta zvicerane shkruan se 32 vjeçari nga Drenasi e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh.

Dasma e planifikuar e vëllait të tij më 1 gusht u anulua pas ngjarjes tragjike.

Për të dyshuarin për vrasje kanë folur fqinjët e prindërve të tij, duke thënë se s’iu besohet ajo me të cilin ngarkohet ai meqë kishin përshtypje të mira për të.

“Ai ishte një djalë i hapur, i dashur, i shkëlqyeshëm që gjithmonë përshëndetej”, thotë një fqinj i prindërve të të dyshuarit.

Ai dhe vëllezërit e motrat e tij thuhet se kanë jetuar në banesë në të kaluarën, sipas Blick. Ai është fëmija më i madh. Para se të niseshin, familja e përshëndeti të dyshuarin në shkallë dhe u tregoi për dasmën e djalit të mesëm.

“Nuk mund ta imagjinoj që ai qëllimisht donte ta lëndonte, ai është shumë i sjellshëm. As ai nuk duket si djalë i keq”, tha fqinji.

Tashmë policia dhe prokuroria po hetojnë rastin. Ndërkohë në vendngjarje ndodhen edhe hetues nga Zvicra.

Tashmë familja argjentinase e viktimës po flet për humbjen e vajzës së tyre.

Babai i të resë është i sigurt se vdekja e vajzës së tij nuk ishte një aksident. Ai ngre akuza të rënda ndaj të dashurit të saj.

“Është femicid. E hodhi nga ballkoni”, ka thënë ai për mediat argjentinase.

Sipas autoriteteve kosovare, ajo ka ndërruar jetë në spital pasi ka rënë nga dritarja e dhomës së hotelit.

Mësohet se ata ishin çift për katër muaj.

Edhe nëna e viktimës është tronditur nga vdekja e vajzës së saj. Vetëm pak ditë para ngjarjes ajo telefonoi atë.

“Ajo na dërgoi video, dukej mirë dhe e lumtur, këtë nuk e kuptoj”.

Viktima ishte me origjinë nga La Plata, Argjentinë. Ajo ishte transferuar në Spanjë në nëntor 2022.