Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sërish ka refuzuar ta mbështesë Qeverinë e Kosovës, ku së fund në një intervistë për BBC tha se SHBA dhe BE kanë tërësisht të drejtë, Kurti jo!
E ndaj kësaj, deklarate të Ramës ka reaguar ashpër profesori universitar Enver Bytyçi.
Ai në një postim në Facebook tha se kjo deklaratë e përkthyer në shqip do të thotë se Vuçiq ka të drejë, kurse Kurti jo.
Bytyçi tha se Rama po fshihet pas kritikave të BE-së dhe SHBA-së, për ta goditur Kurtin.
“Edi Rama në çdo deklaratë dhe qëndrim të tij, jo vetëm gjatë kësaj jave, por edhe në rastet e kaluara, mban anën e Serbisë kundër Kosovës. Por kësaj radhe iu dha shansi që të maskohet pas kritikave të përfaqësuesve të BE-së e SHBA-së ndaj Albin Kurtit, që t’i kundërvihet Kosovës”, shkroi ndër të tjera profesori, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Në një intervistë në BBC kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha në mbrëmje se “BE dhe SHBA ka të drejtë, ndërsa Kurti nuk ka të drejtë”! E përkthyer në shqip kjo do të thotë se edhe Aleksandër Vuciq ka të drejtë, ndërsa Albini nuk ka të drejtë. E zgjeruar në kuptimin e saktë perkthimi shkon më tej; Serbia ka të drejtë, Kosova nuk ka të drejtë.
Tani le të ulemi pak për toke e mos t’i gjykojmë gjërat në hava: Kur Kosova u vu në dilemën e ekzistencës së saj fizike, Vuciq ishte ministri i atij që kryente gjenocid, ndersa Kurti ishte i burgosur i Vuciqit.
Kurse sot ushtruesi i dhunës dhe gjenocidit në Kosovë ka të drejtë në luftën kundër Kosovës, ndërsa i burgosuri i Vuciq, pra Albin Kurti, është fajtor. Kurti është fajtor se zbaton kushtetutën dhe ligjet e shtetit, Vuciq ka të drejtë, sipas Edi Ramës, sepse nuk e pranon shtetësinë, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Vuciq paska të drejtë të dhunojë me forcat e tij komando policinë e Kosovës, EULEX-in dhe trupat e KFOR-it, ndërsa Kurti nuk paska të drejtë të mbështesë kryetarët e komunave të punojnë në shërbim të qytetarëve.
Edi Rama në çdo deklaratë dhe qëndrim të tij, jo vetëm gjatë kësaj jave, por edhe në rastet e kaluara, mban anën e Serbisë kundër Kosovës. Por kësaj radhe iu dha shansi që të maskohet pas kritikave të përfaqësuesve të BE-së e SHBA-së ndaj Albin Kurtit, që t’i kundërvihet Kosovës.