Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka vazhduar me deklarata që nxisin reagime të shumta.
E së fundi, ai në një intervistë ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurtit, duke thënë se Ambasada e ShBA-së në Prishtinë duhet të vendosë nëse ende e konsideron mik e partner atë.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha Hill.
Ai tha se s’ka parë ndonjë ndarje kaq të thellë më parë në marrëdhëniet e Prishtinës e Uashingtonit.
“Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, vlerësoi Hill.
Madje, çuditërisht për ambasadori amerikan, Vuçiq është një partner i mirë.
“Ne e konsiderojmë ai si një partner të mirë, ai dhe qeveria e tij janë partnerë të mirë në këtë proces. Dhe shpresojmë që kështu të vazhdojë. Ne do të donim që ai të bënte ç’është e mundur për të shtensionuar situatën dhe shohim që tashmë po shohim shenja se zbatohet. Kjo është shumë pozitive”, shtoi ai.
Qarri: Jo vetëm Hill por edhe Eskobar e Lajçak, duket se kanë krijuar simpati për konstancën e arritjeve politike të Aleksandër Vuçiqit
E për këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Së pari, ai tha se nuk janë të befasishme deklaratat pro Vuçiqit, nga ana e Hill-it, pasi ai edhe në të kaluarën ka treguar simpati për nacionalizmin serb.
Gani Qarri
“Për aq më tepër, sa i takon ambasadorit Hill, nuk duhet habitur fare, pasi që ai edhe në kohën e regjimit të Millosheviqit, tregonte një lloj simpatie për dimensionet e thella të nacionalizmit serb, kohë kur, siç deklaron ai vet, ishte edhe kundër pavarësisë së Kosovës.
Kurse sot pas mese 24 vitesh të kaluara, ai ka mundësi të ketë edhe ndonjë marrëveshje sekrete apo kontratë të mirëpaguar konfidenciale me Vuçiqin dhe Serbinë, për çuarjen përpara të idesë së “Botës serbe”, të promovuar nga dyshja kriminale Vuçiq dhe Vulin”, deklaroi analisti.
Sipas Qarrit, marrë parasysh politikën që kanë bërë pushtetet e kaluara, duhet të kemi dyshime edhe ndaj miqëve tanë ndërkombëtare.
Poashtu, tha se, jo vetëm Hill por edhe Eskobar e Lajçak, duket se kanë krijuar ‘simpati’ për Vuçiqin.
“Në anën tjetër, përçarjet e thella të shqiptarëve dhe mos dakordimi i partive politike për asnjë çështje, qoftë shtetërore apo edhe kombëtare, ka bërë që pas vdekjes së DR. Ibrahim Rugovës, politik bërësit e popullit tonë, të shihen me shumë dyshim, të mos u besohet për asgjë dhe të mos merren seriozisht nga asnjë shtet në botë, madje edhe nga vet miqtë tanë ndërkombëtar.
E ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, duke parë se Vuçiq ka arritur te blejë edhe kryeministrin e shtetit amë të shqiptarëve, Edvin Kristaq Ramën dhe ta kthej edhe atë, kundër Kosovës, duke u angazhuar publikisht për t’i ardhur në ndihmë Serbisë dhe Vuçiqit edhe në këto çaste të rënda për vendin tonë, e të mos flasim këtu për Dritan Abaz-oviqin me ndihmën e të cilit Serbia serbizoi kishat dhe të gjithë traditën fetare e kombëtare të Malit të Zi, si dhe burdushin e Preshevës Shqiprim Arifi, i cili me porosi të Vuçiqit, po kryen me sukses të plotë, spastrimin komplet të shqiptarëve autokton nga trojet e tyre shekullore, jo vetëm Hill por edhe Eskobar e Lajçak, duket se kanë krijuar simpati për konstancën e arritjeve politike të Aleksandër Vuçiqit”, potencoi ai.
Në vazhdim, vlerësoi se duke parë këmbëngulësinë e Kurtit për ruajtjen e sovranitetit dhe territorit të Kosovës, Hillit nuk i ka mbetur tjetër vetëm të sponsorizoi intervista, për ta lavdëruar Vuçiqin.
“Kështu që duke qenë se Albin Kurti është kryeministri i parë i vendit, i cili kur vihen në pikëpyetje ligji e kushtetuta, territori, kufijtë dhe shtetësia e Republikës së Kosovës, di tu thotë jo edhe ambasadorëve e emisarëve ndërkombëtar, njerëz si Hill, emisari Eskobar, Borell, Lajçak etj, të cilët duke pasur dijeni mbi marrëveshjet e mundshme sekrete të tij me Thaçin & C0, ndoshta edhe i kanë premtuar në mënyrë konfidenciale Vuçiqit, gllabërimin e veriut të Kosovës, ku mund të jenë në pyetje edhe miliona dollarë, ndaj ambasadorit Hill si njëri nga të dëmtuarit e mundshëm, nuk i mbetet tjetër, përveçse të sponsorizoi intervista, për ta lavdëruar Aleksandër Vuçiqin dhe fyer Albin Kurtin”, theksoi analisti.
Krahas kësaj, Qarri konsideroi se për inters personale/grupore dhe shuma të mëdha monetare, Kurti është kthyer në ‘armik’ të emisarëve ndërkombëtarë.
“Për dijeninë e lexuesve Hashim Thaçi, Isa Mustafa, dhe Avdullah Hoti e dërguan Vuçiqin për herë të parë edhe në Zyrën Ovale të SHBA-ve, te ish presidentit Trump, kinse për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare, që në fakt Hoti e bëri Serbinë hisedarë edhe në Ujman.
Prishja e mundshme e interesave personale e ndoshta edhe grupore, të Cristopher Hill, apo edhe emisarit Eskobar, Mattheë Palmer, e Richard Grenell, Sorosi-it, Edvin Kristaq Ramës etj, në shuma të mëdha monetare, ka kthyer Albin Kurtin në “armik” të të gjithë këtyre”, u shpreh ai.
Në fund, analisti shtoi se në rast të zgjedhjeve të reja, Kurti do korrë fitore prej 70 për qind të votave, kështu që plani i Hillit do të dështojë.
“Dhe më e keqja e gjithë kësaj drame, është se përveç që nuk po mund as të përmbahen më dhe kanë filluar ta shprehin hapur urrejtjen e tyre të sëmurë, duke pasur parasysh se kryeministri Kurti, ka ardhur në krye të Qeverisë me mbi 50.2 % votave, u ka hyrë frika në bark, se edhe nëse emisarët e “lekut”, detyrojnë Kosovën të shkojë në zgjedhjet të reja, të jashtëzakonshme, Albin Kurti me votat e lira të qytetarëve, mund ta rifitojë në mënyrë edhe më spektakolare pushtetin, duke marrë deri në 70 % të votave, ndaj i mjeri Hill, për momentin nuk sheh ngushëllim më argëtues, se sa ta lavdëroi Vuçiqin, që atij dhe të tjerëve, di si t`ua lagë gushën dhe shpreh urrejtjen primitive ndaj Albin Kurtit, i cili nuk bënë pazare si paraardhësit, as për hir të “miqve” me tokat e Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Burjani: Biden nuk ka dhënë ndonjë deklaratë konfirmuese se a është kjo siç e thotë Hill
Blerim Burjani
Kurse, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” tha se atë që po e thotë Hill nuk e ka konfirmuar ende Biden.
Madje, potencoi se në Kongresin e Senatit Amerikan mendojnë të kundërten e ambasadorit Hill.
“SHBA, Vuçiqin po e shohin si partner i cili ka premtuar rrugën evropiane të Serbisë dhe miqësinë perëndimore, edhe pse në Kongresin e Senatit Amerikan nuk mendojnë njëjtë, madje ende Biden nuk ka dhënë ndonjë deklaratë konfirmuese se a është kjo siç e thotë Hill. Kosova është partnere e perëndimit me këtë kryeministër apo pa të, këtë e di edhe Hill edhe Blinken”, deklaroi ai.
Sipas Burjanit, Kosova është në aleancë me Perëndimin, ndërsa Serbia vazhdon ta ndjekë rrugën e Rusisë dhe Kinës.
Ai tha se deklarata e Hill-it është më shumë një iluzion se sa një e vërtetë.
Kosova është plotësisht në rrugën veri atlantike e Serbia është në rrugën e Rusisë dhe Kinës kjo dihet dhe e dinë edhe ata.
“Investimi i Hill-it në partneritet me Vuçiqin është i dobishëm por tingëllon iluzion, të shpresojmë se kjo është ashtu siç e thotë ai. Të shpresojmë se Serbia do të jetë aleate e perëndimit dhe mike edhe e Kosovës, në këtë rrugë. Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet dhe e gjitha është në rregull”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.