Lendita Morina, e mbijetuara e masakrës së Lybeniqit, ka rrëfyer për ngjarjen teksa përshkruante kujtimet copëza copëza.
Morina ka treguar momentin kur forcat paramilitare serbe i ndanë fëmijët nga baballarët e tyre, e që pak metra më poshtë u dëgjuan krismat e pushkëve me të cilat u vranë.
“Me mbijetu nuk munden ta përshkruaj ndoshta shumë mirë sepse kam qenë 5 vjet e gjysmë, kujtimet nuk janë shumë të kompletuara, janë copëza copëza. E mbaj në mend vetëm momentin midis fshatit kur na kanë ndarë prej babait, xhaxhait dhe bashkëfshatarëve të tjerë dhe rrugëtimi në këmbë deri këtu pa e dit se çka do të bëhet, kur kemi mbërritur në këtë pikë te këto varreza e kam në vesh, në memorie krismën e armëve të shkrepura një pas një që si fëmijë nuk e kam ditur se çka është por mandej e kemi kuptuar se ka qenë momenti kur janë masakruar të gjithë. Isha në krah të babait, kur kemi mbërritur në mes të fshatit, ushtari vetëm i ka thënë që t’i lëshojë, babai na ka lëshu mua dhe motrën…”, thotë ajo.
Teksa potencon se në secilin përvjetor të kësaj masakre, Lendita e përjeton njëjtë, ajo përshkroi edhe motin që në atë ditë po mbizotëronte e që sipas saj edhe koha e ka ndier atë se çka po ndodhte në Lybeniq.
“E përjetoj çdo vjet njëjtë. Ftohtë, shi, një kohë e tmerrshme, ndoshta edhe koha e ka ndier se çka po ndodhë në Lybeniq. Jemi nisur në këmbë te poshtë në drejtim të Gjakovës e pastaj u dëgjuan krismat. Mbizotëronte një qetësi, të qajtura me zë të ulët… Ecëm për në Shqipëri, shumica e rrugës ka qenë në këmbë. Kemi qëndru disa muaj te disa familjarë të gjyshit e mandej jemi kthyer në Kosovë”.
Lendita thotë se trupi i babait të saj është gjetur në Batajnicë bashkë me trupin e xhaxhait të saj, por në kohë të ndryshme.
Ajo rrëfeu edhe momentin e kthimit të trupit të babait.
“Trupin e babit e kanë gjetur në Batajnicë bashkë me axhin por jo në kohë të njëjtë, fillimisht është gjetur trupi i axhit, pas një viti është gjetur trupi i babit. Mënyra qysh janë kthyer babi dhe axhi kanë qenë arkivole të mbyllura, ndoshta në kese të zeza, eshtrat e dëmtuar dhe më e rënda për neve si familje ka qenë tash 5 vjet janë kthyer edhe një pjesë tjetër e babit, pas një kohë të gjatë ndoshta pas 10 vjetëve, është kthyer një pjesë tjetër e eshtrave dhe është bërë rivarrimi para 5 vjetëve. Andrra e babit dhe axhit ka qenë që fëmijët e tyre të rriten shqip, të flasin lirshëm shqip kudo në rrugë”.