Një shqiptar me shtetësi zvicerane është arrestuar në Kosovë pasi dyshohet se e ka vrarë një 27-vjeçare argjentinase.
Siç raporton mediumi zviceran, “20minuten”, ai është një 32-vjeçar nga kantoni i Bernës.
Sipas mediave, ai kishte udhëtuar drejt Kosovës së bashku me argjentinasin për dasmën e vëllait të tij.
Ai kishte vetëm katër muaj që ishte në lidhje me 27-vjeçaren.
“Ahengu me rreth 500 të ftuar është anuluar ndërkohë. Familja është plotësisht e dërmuar dhe nuk mund ta besojë atë që ka ndodhur”, citojnë mediat dikë me njohuri për rastin.
Sipas portalit LeCanton27.ch, i riu mësohet se pas një debati e ka shtyrë argjentinasen nga dritarja në katin e gjashtë të hotelit. Ajo ka vdekur në spital për plagët e marra. Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si vrasje dhe ka nisur hetimet.
Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) i Zvicrës ka konfirmuar arrestimin e shtetasit zviceran. “Ambasada jonë në Prishtinë është në kontakt me autoritetet përkatëse lokale. Për arsye të të dhënave dhe privatësisë, nuk mund të jepet asnjë informacion i mëtejshëm”, ka thënë një zëdhënës./express