Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“E përgëzoj”- Rama thotë se Kurti e ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se e përgëzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për pranimin e propozimit të BE-së për avancim drejt zgjidhjes së çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Rama këtë e ka deklaruar përmes platformës ‘X’ pas takimeve që kryeministri Kurti pati në kuadër të Samitit të BE-së.

“E përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të avancuar me vendosmëri drejt zgjidhjes debllokuese të ASM-së (Asociacionit të Komunave me shumicë serbe) përmes instrumenteve të vetë-menaxhimit si kornizë për negociatat e ardhshme”, ka thënë ai.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të demonstrojnë lidership dhe të punojnë ngushtë me partnerët tanë perëndimorë për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Themelore për normalizimin e marrëdhënieve, pa vonesa të mëtejshme. Rajoni ynë meriton paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin për një të ardhme të përbashkët, më të mirë, në vend të konflikteve, lojërave të fajësimit dhe pengesave që na dëmtojnë të gjithëve”, ka deklaruar ai.