Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​E quajti servile të Kurtit, Sinani: Arifi është kryetar për keqardhje

 
   

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit aktual të kësaj komune Shqiprim Arifi, se ajo është një servile e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sinani në një intervistë për Kosova Press thotë se Arifi është kryetar në ikje, për të cilin shton se “duke e sulmuar Kosovën gjithmonë ka fshehur dështimin e tij”.

Këshilltarja politike e Kurtit thotë se Arifi vazhdimisht po e kritikon vetëm Kosovën dhe asnjëherë Serbinë.

Ajo potencon se që nga marrja e mandatit nga Arifi, gjendja në Komunën e Preshevës është përkeqësuar.

Sinani: Kryetari i Preshevës është për keqardhje, sulmon vetëm Kosovën – asnjëherë Serbinë

Ne politikanët e Luginës së Preshevës duhet të jemi bashkë kundër diskriminimit të Serbisë. Kryetari i Komunës së Preshevës në ikje, është për keqardhje, sepse realisht nuk është as kryetar komune e as kryetar partie. Prej 24 tetorit nuk ka shumicë dhe kuvendi është i shpërbërë. Zakonisht, vazhdimisht kritikon Kosovën dhe asnjëherë Serbinë. Ai do të kishte qenë mirë ta kishte detyrën e vet për kryetar komune për këto tetë vjet sa ka qenë kryetar komune. Gjendja në Komunën e Preshevës është përkeqësuar çdo ditë e më tepër. Ky, duke e sulmuar Kosovën, gjithmonë ka fshehur dështimin e tij si kryetar komune në ikje. Realisht, është humbës i katër proceseve zgjedhore radhazi, rezultati i fundit i zgjedhjeve parlamentare e dëshmon, është tregues i qartë se me 940 vota në komunën e Preshevës e më pak në ato të Bujanocit e Medvegjës, është një sinjal shumë i qartë i sovranit preshevar që ky nuk ka legjitimitet. Dhe që nga 28 nëntori nuk ka arritur për këta muaj të mbajë seancë dhe me rezultatet e fundit të 17 dhjetorit ky ka marrë dënimin më të madh nga qytetarët e Luginës së Preshevës”, tha Sinani.

Shqiprim Arifi më herët pati deklaruar se qeverisja e Ardita Sinanit u ka trashëguar disa problematika, të cilat kanë qenë edhe ligjore e më pas janë ballafaquar edhe në gjykata, teksa në një intervistë për KosovaPress, ai e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës.

Gjithashtu, ai ka potencuar se në asnjë nga takimet që kryeministri Kurti ka mbajtur me përfaqësuesit e Luginës, ai nuk ka qenë i ftuar.

Lidhur me këtë, Sinani thotë se akuzat e Arifit janë të pavërteta dhe të pabaza.

Ajo thotë se në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën, Arifi kritikon qeverinë dhe kryeministrin, e asnjëherë Beogradin zyrtar.

Sinani: Deklaratat e Arifit janë të pavërteta

“Të gjitha deklaratat e tij janë të pavërteta, si ndaj neve politikanëve të Luginës së Preshevës e posaçërisht ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës. Asnjëherë nuk kritikon Beogradin, asnjëherë nuk kritikon Serbinë, dhe të gjitha akuzat në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën ai del kritikon Qeverinë dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës… Zotëri Arifi ka qenë i ftuar në disa takime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga kabineti i kryeministrit Kurti. Ai nuk iu ka përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto akuza janë të pavërteta dhe të pabaza”, tha Sinani.

Për sa i përket zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, Sinani thotë se Arifi mori përgjigjen më të mirë nga qytetarët, duke e bojkotuar procesin zgjedhor.

Këshilltarja politike e shefit ekzekutiv, Ardita Sinani thotë se lista me të cilën kishte garuar Arifi, bënte thirrje për bojkot e distancim nga Republika e Kosovës, e sipas saj asnjëherë ndaj asaj të Serbisë.

Sinani: Qytetarët më 17 dhjetor i dhanë vlerë dhe rëndësi çdo vote shqiptare

“Sa i përket zgjedhjeve në Serbi, ne kemi dalë me lista, është fakt. Elektorati dhe qytetarët kanë dhënë, kanë përzgjedhur bojkotin e vet, ia kanë dhënë Shqipërim Arifit…Lista e Shqipërimit fokusin e ka pasur kundër subjekteve politike shqiptare dhe veçanërisht përfshirjen sipas tyre, të Republikës së Kosovës në Luginë, por asnjëherë nuk e ka pasur politikën shtytëse të Beogradit. Në listën tonë ishin pesë subjekte politike…Ndërsa në anën tjetër ishte vetëm partia e Shqipërim Arifit, i cili nuk është as kryetar partie dhe as kryetar komune, dhe kishte garuar me shefin e kabinetit të tij, por që ishte bashkë me Lëvizjen për Reformën. Lista tjetër që kishte që kishte luftën për subjekte politike shqiptare asnjëherë nuk ishte Beogradi dhe politika diskriminuese shtetërore e Serbisë, por ishte lufta kundër nesh dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ata bënin thirrje për bojkot e distancim nga Republika e Kosovës. Por, qytetarët më 17 dhjetor i dhanë vlerë dhe rëndësi çdo vote shqiptare, ku me votën e vet i dhanë të drejtë vetëm një kursi politik, të ngritjes së zërit ndaj shtypjes, diskriminimit, shkeljes së të drejtave elementare të njeriut”, potencon Sinani.

Sinani potencon se partitë politike në Luginë të Preshevës po veprojnë në kushte diskriminimi shtetëror dhe në gjendje të rëndë socio-ekonomike.

Ajo shton se Beogradi zyrtar synon që shqiptarët e Luginës të jenë sa më pak të organizuar dhe sa më të përçarë, andaj kanë nevojë për më shumë cilësi, organizim dhe angazhim, në mënyrë që të bëjnë pluralizmin e politikës shqiptare karshi Serbisë.