Gjuha denigruese dhe e urrejtjes në rrjetet sociale ka çuar drejt vetëvrasjes nënën e 4 fëmijëve në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në një fshat të Sukthit. Një 41-vjeçare nga fshati Vadardhë i Sukthit ka humbur jetën në spital, pasi është dërguar me urgjencë nga familjarët.
E sulmuar në mënyrën më të shëmtuar, nëna e katër fëmijëve është vënë para një presioni tepër të madh shoqëror dhe më pas dhe në familje.
Pa mundur të kërkojë ndihmë, apo të gjejë shpëtim diku, ajo ka konsumuar një sasi fotoksine, për t’i dhënë fund tmerrit me të cilin po përballej publikisht në një komunitet të vogël.
Viktima ishte punonjëse në një fabrikë në zonën e Fllakës dhe dyshohet se ndonjë apo disa punonjëse të tjera në të njëjtën fabrikë kanë hapur profile denigruese në rrjetin social Tik-Tok, duke i krijuar një situatë të rënduar psikologjike që ka cenuar dhe marrëdhëniet e saj në familje.
Burime nga Policia e Durrësit, bëjnë me dije se materialet në lidhje me veprën e dyshuar penale “shkaktim vetëvrasjeje” do t’i kalojnë Prokurorisë për hetime të mëtejshme.