Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

E thotë Biserko: Vuçiqi nën presion, veçanërisht për shkak të Banjskës

 
   

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për “Antena M”, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nën presion të madh jo vetëm për shkak të parregullsive të konstatuara në zgjedhjet në Serbi, por veçanërisht për shkak të sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

Në sulmin terrorist në Banjskë u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Personalisht Vuçiqi është nën presion të madh jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por mbi të gjitha për shkak të Banjskës, pasi ishte një kërcënim i sigurisë për të gjithë rajonin, por edhe për Evropën, kërcënim ndaj të cilit Perëndimi reagoi menjëherë. Raporti që doli nga Qeveria e Kosovës ishte shumë i detajuar dhe shumë bindës. Nga ana tjetër keni Rusinë që e falënderon Serbinë, e që padyshim ka një ndikim të fuqishëm në disa prej strukturave të këtij vendi”, tha Biserko.

Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një Rezolutë që kërkon hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara në zgjedhjet të mbajtura në Serbi në dhjetor të vitit të kaluar. Po ashtu u tha se do të ketë pezullim të fondeve nëse konstatohet ndërhyrje e shtetit.

Biserko nuk pret që Vuçiq të reagojë në këtë moment për qëndrimet e Rezolutës së PE-së për zgjedhjet dhe për Kosovën, pasi thotë se pret zgjedhjet amerikane e evropiane. Sa i përket Kosovës, Biserko tha se Vuçiq e ka dorëzuar atë me Marrëveshjen e Brukselit.

“Pozicioni i tij do të përcaktohet ashtu siç ecin gjërat. Do të duhet pak kohë, sepse ai sigurisht se nuk do të marrë vendime tash dhe shpejt. Vuçiqi në thelb e dha Kosovën me Marrëveshjen e Brukselit”, tha Biserko.

Për Rezolutën e PE-së ajo tha se ishte e pritshme.

“Rezoluta ishte e pritshme, u fol shumë. Është moralisht e politikisht dhe kaq detyruese! Së dyti, të gjitha qeveritë, përveç asaj hungareze e ndoshta sllovake, mbështesin dhe ushtrojnë presion në këtë drejtim”, tha Biserko.