Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija.
Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija.
Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani gjatë vizitës në Parlamentin Shqiptar sot mbajti një fjalim prekës ku përmendi faktin se një afërm i saj ishte i varrosur gjallë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ajo e kishte fjalën për kolonelin Sulejman Vuçitërna që vdiq në kënetën e Maliqit i dënuar nga Hoxha si kundërshtar politik. “Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin dhe familja ime. Gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb dhe në fund kishte vdekur nga ato tortura, ndërsa xhaxhai i nënës sime, vëllai tjetër Sulejman Vuçiterna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës”- tha ajo.
Historia e panjohur të Sulejman Vuçiternës nga fisi që e ka prejardhjen nga Verbovsi të Drenicës së Veriut, i cili në moshën 18 vjeçare, kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur dhe me cilësinë e komandantit të komitës, Sulejmani së bashku me Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje qeveria serbe e Pashiqit
Ardhja e Sulejmanit në Shqipëri pas një burse të dhënë nga Hasan Prishtina për nxënësit kosovarë dhe shkollimi në Normalen e Elbasanit dhe më pas në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali, nga ku u kthye në atdhe duke shërbyer në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit, filllimisht në sektorin e Prapavijës së Ushtrisë Mbretërore, e më pas si Komandant i Shkollës së Plotësimit të Oficerëve të Monarkisë Shqiptare
Dorëheqja e Sulejman Vuçiternës pas agresionit fashist të 7 prillit të ’39-ës dhe kthimi në Kosovë ku ai bashkohet me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës dhe emërimi i tij si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, ku zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj.
Kthimi i Sulejmanit në Shqipëri në vjeshtën e ’44-ës dhe arrestimi i tij nga komunistët më 14 nëntor të atij viti, ku të lidhur me zinxhir, disa partizanë e dërguan në fshatin Shupal, rrëzë malit të Dajtit ku mbaheshin të izoluar shumë nga ish-funksionarët e lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit.
Dënimi i Sulejmanit në Gjyqin Special me 30 vjet burg, ku edhe pse aty erdhi si dëshmitare dhe e mbrojti e jëma e Heroit të Popullit, Xhezmi Delli, duke deklaruar se ai ishte patriot dhe i kishte shpëtuar disa herë jetën të birit, vendimi i gjyqit u la në fuqi dhe ai u dërgua për të vuajtur dënimin në Kampin e Vloçishit, ku nga tmerret tentoi vetëvrasjen, duke prerë gishtat e këmbës me bel dhe komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk e lejoi ta dërgonin në spital, por e la të vdiste dhe atë e varrosnin ende pa i dalë shpirti…?!
Ka qenë mesi i muajit nëntor të vitit 1944, kur forcat partizane që ishin dislokuar në periferi të kryeqytetit, rrëzë malit të Dajtit dhe kontrollonin pothuaj gjithë pjesën lindore të qytetit të Tiranës, prisnin nga ora në orë largimin e forcave gjermane që tërhiqeshin nga Rruga e Elbasanit për në drejtim të Shkodrës, për të hyrë si triumfatorë në kryeqytetin e çliruar. Ndonëse lufta akoma nuk kishte mbaruar, komunistët kishin filluar larjen e hesapeve dhe skuadra speciale partizanësh sipas listave që kishin marrë nga shtabi qëndror i tyre që ishte akoma në zonën e Priskës, shkonin lagje më lagje e shtëpi për shtëpi për të bërë arrestimet apo eleminimet e atyre që ata i konsideronin si “armiq e kriminelë të popullit”. Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sulejman Vuçiternën që ndodhej në shtëpinë e tij (sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike të kryeqytetit te “Zogu i Zi”. Po kush ishte Kolonel Vuçiterna, cila ishte e kaluara e tij dhe përse ishte futur ai në “listat e zeza” të komunistëve për t’u arrestuar prej tyre?
Kush ishte Sulejman Vuçiterna?
Ai lindi më 11 shtator të vitit 1898 në qytetin e Vuçiternës në Kosovë. Sulejmani rrjedh nga dera e Kastratëve të Verbovsit të Drenicës së Veriut, ku i pari i atij fisi, Mulla Ali Kastrati (Shkoza) ishte shpërngulur nga Bushati i Shkodrës nga ku është dhe origjina e herëshme e familjes tij, e u vendos fillimisht në Malësinë e Gjakovës, aty rreth vitit 1609. Familja Vuçiterna që mbajti për mbiemër emrin e vendlindjes së të parëve të sajë, njihet në të gjithë atë krahinë, si një nga familjet më patriote që ka marrë pjesë në të gjitha luftrat kundër pushtuesëve të huaj që kanë shkelur Kosovën. Babai i Sulejmanit, Mulla Bajram Kastrati, ishte klerik myslyman dhe së bashku me dy djemtë e tij, Isufin e Rexhepin, ishin tepër të njohur si prijës të Drenicës dhe për veprimtarinë e tyre në dobi të çështjes kombëtare, gjithmonë ndiqeshin për tu arrestuar nga pushtuesit turq. Sulejmani, pasi u shkollua në vendlindjen e tij Vuçiternë, i ndërpreu mësimet e në moshën 16 vjeçare mori armët e u bashkua me komitët në atë që njihet si “Lëvizja kaçake kosovare”. Për afësitë e tija të jashtzakonëshme si organizator e drejtues, në vitin 1916 kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç u caktua si komandant i çetës së Verbovcës dhe kishte nën komandën e tij mbi 400 burra të armatosur. Pasi ishte formuar mbretëria serbo-kroato-sllovene, aty nga viti 1919, forcat e xhandarmërisë serbe shkuan në fshatin Verbovcë dhe rrethuan shtëpinë e tij për ta arrestuar. Por ato nuk ia arritën dot qëllimit, sepse Sulejmani duke luftuar brenda në kullë, arriti që ta çante rrethimin dhe u largua. Në shenjë hakmarrje, forcat e xhandarmërisë serbe ia dogjën kullën dhe groposën të gjallë vëllanë e tij, Isufin, që ishte klerik myslyman. Pas kësaj ngjarje, Sulejmani u bë tepër i njohur në krye të çetës së Verbovcës nga që ishte shumë i ri në moshë dhe aty rreth vitit 1922, me cilësinë e komandantit të komitës, së bashku me dy deputetët e parlamentit shqiptar, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve që ishin vendosur në 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje nga qeveria serbe e Pashiqit.
Diplomohet në Akademinë e Torinos
Pas dënimit me vdekje që ju dha nga serbët, i shtyrë dhe nga familja, duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër, Sulejmani vendos që të vijë në Shqipëri. Pasi la të gjithë njerzit e afërt dhe familjen në Kosovë, aty nga fundi i vitit 1922 së bashku me disa pjestarë të çetës tij, niset për në drejtim të kufirit malazezo-shqiptar, pasi kaloi me not nga liqeni i Shkodrës. Menjëherë pasi erdhi në Shqipëri, ai vazhdoi shkollën që e kishte ndërprerë në vendlindjen e tij, kur ishte 16 vjeç. Pas kësaj, duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontigjentit të nxënësve kosovarë që paguheshin nga fondet e mbledhura prej Hasan Prishtinës, ai u regjistrua në Normalen e Elbasanit të cilën e mbaroi aty nga viti 1929. Mbas mbarimit të shkollës Normale të Elbasanit, Sulejmani u vendos në Tiranë përkohësisht ku dhe krijoj familje duke u martuar me Faika Spatharën (me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të njohur të karrierës (nga Skrapari) kolonel Mustafa Spathara. Në atë kohë Sulejmani përfitoi një bursë shtetërore dhe shkoi në Itali në Akademinë Ushtarake të Torinos të cilën e mbaroi me rezultate të lartë në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e Këmbsorisë. Mbas diplomimit ai u kthye në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare, në sektorin e Prapavijës. Në këtë sektor, Sulejmani punoi për më pak se një vit dhe më pas fitoi të drejtën e një specializimi një vjeçar për në Gratz të Austrisë, po për degën e Prapavijës, të cilin e mbaroi në qershorin i vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi ai emërohet në repartet e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në qytetet e Kavajës, Korçës Shkodrës e Beratit. Punon për disa kohë në këto qytete, nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, ai u propozua për të shkuar si pedagog në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë ku punoi për disa kohë si pedagog në këtë shkollë, ai propozohet nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Xhemal Araniti, për t’u emëruar si komandant i Shkollës së Oficerëve, gjë të cilën Mbreti Zog e dekretoi menjeherë. Në këtë detyrë ai shërbeu deri në prillin e vitit 1939, kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë.
Pas 7 prillit 1939, largohet në Kosovë
Mbas 7 prillit të vitit 1939, Sulejman Vuçiterna nuk paranoi të shërbente më në Ushtrinë Kombëtare dhe pasi dha dorheqjen nga detyra, u kthye në jetën civile. Duke mos pasur asnjë mjet jetese për të mbajtur familjen, pasi ajo jetonte vetëm me rrogën që ai merrte si oficer, u largua për në vendlindjen e tij në Kosovë, të cilën e kishte lënë që nga viti 1922, ku dhe kishte të gjithë të afërmit e familjen. Në vitin 1941, duke parë situatën e krijuar dhe pas kërkesës së vazhdueshme të parisë nacionaliste të Kosovës, Sulejmani mobilizohet përsëri në rradhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Krahas detyrës ushtarake, ai bashkohet dhe me Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës. Po në atë vit, Sulejmani u emërua si Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi me Serbinë, e deri në Llap, afër kufirit me Bullgarinë. Këtë detyrë të rëndësishme e mjaft të vështirë Sulejmani e kreu nga vjeshta e vitit 1941 e deri në vjeshtën e vitit 1944, kur u kthye në Tiranë. Gjatë atyre tre viteve të qëndrimit në Kosovë në krye të forcave që komandonte, së bashku dhe me vullnetarët që i kishte rekrutuar vetë, zhvilloi disa luftime të ashpëra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, përpjekje të cilat u bënë kryesisht në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Po kështu aty nga fillimi i muajit mars të vitit 1943, në krye të forcave ushtarake e vullnetare që komandonte, nënkolonel Vuçiterna zhvilloi përsëri luftime të rrepta kundra forcave serbo-malazeze-çetniko-komuniste, të cilat u shtrinë në zonën e Tushiqit, Çukovskit, Previjes, Rezallës, Okllacit, e deri në zonën e Rashkut. Në këto luftime të ashpra që zgjatën nga data 4 deri më 26 mars, forcave që komandoheshin nga Sulejmani u erdhi në ndihmë dhe një batalion artilerie i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, i cili në përbërje të tij kishte dhe dy oficerë italianë me gradat e kapitenit, që quheshin Rudi e Sada. Nga këto luftime forcat e komanduara nga Sulejmani dolën me humbje të vogla, kurse ato serbo-malazeze patën humbje të konsiderueshme. Për këtë rezultate që arriti në fushën e Luftës, nënkolonel Vuçiternës ju akordua grada e kolonelit nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare.
Me parinë nacionaliste të Kosovës
Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Sulejmani mori pjesë aktive dhe u bë një nga mbështetësit kryesorë i Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare, ose siç njihet ndryshe “Balli Kombëtar i Kosovës”, që udhëhiqej nga profesorët Ymer Berisha dhe Luan Gashi, si dhe Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Rexhep Mitrovica, Mehmet Gradica etj. Sulejmani së bashku me Mehdi Elezin e Hajredin Spahiun, mbanin lidhje të vazhdueshme me Shërbimin Informativ Anglez (Intelixhent Servis), për realizimin e marveshjes së bërë nga Lëvizja Nacional-Demokrate Shqiptare me atë shërbim informative, për ndihmën që qeveria britanike do t` ju jepte forcave nacionaliste të Kosovës, në luftën kundra pushtuesëve italianë. Sulejmani, përveçse një ushtarak i talentuar i karrierës, ishte dhe një intelektual i formuar me prirje perendimore, i cili zotëronte mjaft mirë dhe disa gjuhë të huaja, si: turqisht, serbo-kroatisht, italisht, gjermanisht dhe anglisht. Ai së bashku me një grup intelektualësh kosovarë që kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, bënin një propagandë aktive shumë të madhe në popull, për lidhjet e bashkpunimin që kishin me aleatët anglo-amerikanë, e ndihmën që ata po jepnin për të fituar luftën kundra boshtit fashist: Romë-Berlin-Tokio. Nga fillimi i vjeshtës së vitit 1944, Vuçiterna si ushtarak profesionist i karrierës, ju përgjigj urdhërave të eprorëve të tij, për ta lënë Kosovën dhe u rikthye përsëri në Tiranë, ku kishte lënë dhe familjen që nga viti 1939.
Rikthehet në Tiranë e arrestohet
Pasi la Kosovën, Sulejmani erdhi e u vendos në Tiranë pranë familjes tij në shtëpinë që e kishte ndërtuar vetë (aty ku sot është ambasada greke) që nga fillimi i viteve ‘30-të. Ai as që e kishte menduar kurrë atë çka do i ndodhte më vonë pas ardhjes në shtëpinë e tij (arrestimin), sepse gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, kishte punuar dhe luftuar vetëm për Shqipërinë dhe për atë gjë, ishte dënuar me vdekje nga forcat çetnike – komuniste (serbo- malazeze), gjatë kohës që kishte luftuar kundër Drazha Mihajlloviçit në Kosovë. Kështu ai duke e ndjerë vetën krejt të pastër për atë që kishte bërë gjatë gjithë jetës tij, u kthye në shtëpinë e tij në Tiranë tepër i vetëdijshëm. Por llogaritë e kolonel Vuçiternës duket se nuk “kuadronin” aspak me ato të komunistëve që kishin ardhur në pushtet dhe mezi prisnin për të larë hesapet me ata që i konsideronin si “kundërshtarë politik apo armiq të popullit”. Kështu pak ditë pas ardhjes tij në Tiranë, akoma pa u çmallur mirë me familjen, aty nga mesnata e 14 nëntorit të 1944-ës, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga kryeqyteti, në shtëpinë e tij u paraqit një skuadër speciale partizanësh e cila e arrestoi duke i`u thënë familjes: “Sa për një sqarim në komandë.” Pas kësaj skuadra speciale e partizanëve e bashkoi me disa “kolegë” të tjerë, dhe ashtu të lidhur me zinxhirë tre nga tre, në këmbë i nisi për në Shupal, rrëzë malit të Dajtit, ku disa baraka të vjetra tip kazeramsh ushtrie që ruheshin nga partizanë të armatosur, shërbenin si burg. Në ato kazerma ku mbaheshin të arrestuar edhe dhjetra persona të tjerë (shumica ish funksionarë të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit), si ministra, deputetë, prefektë, ushtarakë madhorë etj, Sulejmani qëndroi deri në datën 21 nëntor, kur po ashtu të lidhur tre nga tre i nisën përsëri në këmbë për në Tiranë, duke i “sistemuar” tek burgu i vjetër (sot “Mine Peza”).
Në gjygjin Special, 30 vjet burg
Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerzore deri sa doli në Gjygjin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senacës gjygjësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë gjygjë avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist “Hero i Popullit”), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna. Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, falë informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete. Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminelë?” Pas kësaj, Gjygji Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk “pati fatin” t`a plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija