Dje janë bë 18 vite që nga vrasja e gazetarit të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti.
Kjo vrasje edhe pas 18 vitesh nuk është zbuluar.
Gjatë ditës së djeshme ishte vetëm gazeta “Bota sot”, dhe miqtë e Ajetit të cilët e përkujtuan, ndërsa mediat nuk e panë të arsyeshme të përkujtojnë vrasjen e një gazetari, vrasje kjo e pazbuluar deri sot.
Për këtë çështje, ka reaguar kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami.
Ai kritikon mediat që nuk e kujtuan Ajetin, teksa shton se atë e vranë pas shpine, pasi ashtu kishin bërë edhe qindra vrasje pas luftës.
“Mediat e Kosovës nuk e dhanë provimin, nuk e kujtuan kolegun e tyre, gazetarin që u vra, për fjalën e lirë!
Bardhyl Ajetin e vranë, sepse ai vriste vrasësit me të vërtetën e tij të shkruar, e vranë pas shpine, sepse ashtu kishin bërë qindra vrasje pas luftës”, shkruan Islami në Facebook.
Ai tutje ka shkruar se, vjedhja e dëshmive në Polici tregon më se mirëi pistën e parë se ku duhet të hetohet për të ardhur pastaj tek vrasësit.
“Qytetaria jonë duhet të ngrihet, të thërras me zë të lartë, deri në kupë të qiellit, vrasësit në pranga,sepse vetëm atëherë, shpirti i Bardhylit e qindra tjerave mund të jenë të qetë.
Vjedhja e dëshmive në policinë e Kosovës, tregon më së miri pistën e parë, se ku duhet të hetohet për të ardhur tek vrasësit!
Ata nuk janë larg, ata janë afër nesh edhe më afër se ne mendojmë .
Drejtësi vepro me shpejtë, drejtësi mos u bë peng i atyre që vranë, drejtësi thirre shpirtin e drejtësisë të dënoj drejtësisht kriminelët”, shkruan Islami.
Bardhyli u plagos pabesisht më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij në qytetin e Gjilanit.
Për fat të keq Bardhyli nuk arriti që t’u mbijetonte plageëve të rënda që mori në atentatin e tmerrshëm dhe pas disa javësh ndërroi jetë, më 25 qershor të vitit 2005, në një spital në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për shërim.