Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Edita Tahiri: Fuqia e Kosovës është te veriu, për dy arsye strategjike që nuk mund t’i them

 
   

Ish kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka treguar se ku gaboi Albin Kurti për situatën në veri, që detyroi ndërkombëtarët t’i dilnin kundër. Ajo tha se fuqia e Kosovës është te veriu. “Janë disa kontekste gjeostrategjike që nuk lidhen as me Kosovën, as me Serbinë, as me Ballkanin, janë përtej”, tha ajo.

Tahiri tha se zgjedhjet e mbajtura në komunat e Kosovës, pavarësisht se morën aprovimin nga ndërkombëtarët, Kurti shkeli kushtin, që zgjedhjet të ishin teknike dhe jo politike.

“Kosova e plotë pa veriun nuk ka asnjë interes, fuqia e Kosovës është te veriu. Janë dy arsye strategjike që nuk kam mundësi t’ua u them. Janë disa kontekste gjeostrategjike që nuk lidhen as me Kosovën, as me Serbinë, as me Ballkanin, janë përtej. Lojën e Albinit për të ruajtur agjendën populiste në veri, Vuçiqi e përdori në mënyrë djallëzore, tërhoqi minoritetin serb nga institucionet e Kosovës”, tha Tahiri në Top Story të Top Channel.

Ajo tha se në veri nuk ka pasur pika kufitare.

“Unë arrita marrëveshjen me të cilën u vunë kufijtë”.

Ndërsa duke folur për zgjedhjet në veri ajo tha se Vuçiqi i braktisi me bojkot. “Kurti vazhdoi duke pasur iluzione për ata që kandiduan për kryetar komune. Amerika dhe BE i dhanë përkrahje se ishin legalë, por ato dolën jolegjitime, shpesh analistët thonë pse kur amerikanët i përkrahën zgjedhjet, çfarë ndodhi”.

“Amerikanët thanë le të hyjnë kryetarët e zgjedhur edhe në ato kushte, por në mënyrë teknike, jo politike. Të vazhdonin punën pa manifestim politik, kjo ishte shkelja e parë që ia bëri Albini amerikanëve. Në vend se të thotë kërkojë falje që hyrjen teknike e bëra politike, ai i fsheh gjërat. Kjo nervozoi amerikanët dhe për herë të parë ndodhin ndëshkimet. Në 1992 Kosova vulosi aleancën me Amerikën, kur Bush doli me politikën e kërcënimit ndaj Milosheviqit. Po të mos ishte përkrahja e tyre nuk do vinim në këtë ditë”, tha ish-kryenegociatorja e Kosovës.

Tahiri tha se Albin Kurti gabon me gjuhën e ashpër ndaj palës së tretë negociatore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nga aspekti negociator një shtet si palë nëse ankohet te pala e tretë se po e përkrah palën tjetër është dobësi. Shteti duhet të ketë aftësi të punojë me palën e tretë, janë mënyra diplomatike kur ka vërejtje. Kjo tregon vogëlsinë e shtetit, s’ka aftësi të mbrojë dinjitetin e shtetit. Kur je palë duhet të kesh integritetet jo kërkesa si fëmijë. Nëse ndërmjetësuesi e mbështesin Serbinë, kanë interesat e tyre, aftësia duhet të jetë të kthesh interesat e shtetit tënd”, u shpreh Tahiri.