Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka dalë në mbështetje të protestës të thirrur nga shoqëria civile dhe e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të mbahet këtë të shtunë me fillim në ora 18:00.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shkruar ndër të tjera se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në koordinim me kriminelin dhe terroristin, Milan Radojiçiç, person në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i ikur nga drejtësia në Kosovë, ka larguar veteranët e UÇK-së nga Ligji për pagën minimale.
“Mbështesë plotësisht protestën sot kundër Qeverisë! Kurti me Radojiçiç-in përjashtuan veteranët e UÇK-së nga Ligji për pagën minimale- fatkeqësi kombëtare”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social në Facebook.
Ndryshe me 60 vota për e një abstenim, të enjten Kuvendi i Kosovës miratoi Ligji për pagën minimale.
Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, megjithatë nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë veteranët e UÇK-së.
Prandaj Shoqëria civile, të shtunën, me fillim nga ora 18:00 do të organizojnë protestë kundër Qeverisë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në njoftimin e publikuar, thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiç-in” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”.
Këtë protestë e ka mbështetur edhe OVL-UÇK.
Pas mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se përveç vendimit të mbështetjes së protestës në fjalë, kjo organizatë është dakorduar që të pengojë seancat e Kuvendit të Kosovës, duke penguar që deputetët të futen në Kuvendin e Kosovës kur ka seanca Parlamenti.