Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ekskluzive: Bossi i kazinove bie në prangat e Policisë, kapet me armë ilegale në parkingun e ‘Princesha Palace’

Një ndër emrat e njohur për organet e rendit si ‘bossi’ i kazinove në rastin e Karaçevës, i akuzuar për organizim të lojërave të fatit e kontrabandë, Mentor Maqani, ka rënë mbrëmë pas mesnate në prangat e Policisë, në fshatin Babush i Muhaxhirëve në Lipjan, raporton ekskluzivisht 

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 43-vjeçari Maqani është kapur nga Policia e Kosovës në flagrancë me armë ilegale, në parkingun e restorantit “Princesha Palace”.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, Maqani është ndaluar për kontroll dhe verifikim nga një njësi policore, ku si rezultat i është gjetur një armë me mbi 10 fishekë, që e mbante pa poseduar leje.

Maqani, i cili ka të kaluar kriminale, përfundoi sërish mbrëmë në stacion policor pasi u arrestua dhe u shoqërua për intervistim, lidhur me veprën për armëmbajtje pa leje.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Por kush është Mentor Maqani?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 23 shtator 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Maqanit, Shpejtim Rexhës, Flakron Maqanit, Granit Nikqit, Visar Haxhijajt, Arbent Ramadanit, Fadil Bytyqit, Rrahim Bërbatovcit, Qun Mengjiqit, Shpetim Babajt, Mentor Kikës, Sefer Berishës, Fatmir Shalës, Artan Qunit, Ardian Hasanit dhe Orhan Elshanit.

Ata akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas aktakuzës, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët, kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, fillimisht kishte siguruar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus”, e pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, ashtu që sipas marrëveshjes me të pandehurit tjerë të cilët kanë vepruar në pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe pa licencë dhe pa leje pune të organeve kompetente, kanë siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojrave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serik, aparate me numra serik të falsifikuar.

Tutje në aktin akuzues, thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, në cilësinë e pronarit “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të akuzuarit Flakron dhe Mentor Maqani, dhe Granit Nikqi, aparatet e falsifikuara i kishin shpërndarë nëpër Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Visar Haxhijaj, Orhan Elshani, Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi, Arbent Ramadani, Artan Quni, Shpëtim Babaj, Ardian Hasani, Fatmir Shala, Sefer Berisha, Mentor Kika dhe Granit Nikqi, nga koha e pacaktuar deri në datën e kontrollit nga policia të cekura në aktakuzë, në cilësinë e menaxherëve të lokaleve të ndryshme kishin ushtruar veprimtari të paligjshme të bixhozit, ku me rastin e kontrollit i janë konfiskuar disa aparate të lojërave të fatit.