Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ekskluzive: Këta janë gjashtë të dyshuarit për përleshjen afër gjimnazit në Prishtinë

Mediat të martën raportuan për një rrahje që ndodhi në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prishtinë, në afërsi të gjimnazit “Sami Frashëri”, ku gjashtë persona u përfshinë në një përleshje, njëri prej të cilëve ndodhet akoma në arrati.

Në përleshje dyshohet se është përdorur edhe një armë zjarri, e cila është sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjashtë të dyshuarit janë:

Durim Gashi
Jeton Gashi
Ramiz Gashi
Arton Gashi
Veton Krasniqi
Vehbi Krasniqi – në arrati
Dy të dyshuarit janë vëllezër, në shtëpinë e të cilëve është kryer bastisje me urdhër të lëshuar nga Gjykata, por as aty Policia s’e ka gjetur të dyshuarin Vehbi Krasniqi.

Pamjet e arrestimit të disa prej tyre janë publikuar nga Sinjali, teksa akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka ndodhur përleshja, ku mbetën të lënduar tre nga të dyshuarit.

 

Të dyshuarit që ranë në prangat e Policisë ndodhen nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve.

Edhe Policia e ka konfirmuar rastin atë natë, ku janë dhënë informacionet e para për incidentin.

“Policia ka marrë informatën për një përleshje fizike në rrugën ‘Ibrahim Lutfiu’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se gjatë përleshjes, janë lënduar tre persona, njëri prej tyre është shoqëruar në stacion policor. Në vendin e ngjarjes policia ka gjet një armë zjarri dhe po kryen procedurat e sekuestrimit. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.