Luiza Gega prej shumë vitesh me radhë po mban një nivel të frikshëm, duke shënuar rezultate të jash tëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Vetëm një vit e gjysmë më parë ajo mahniti Europën, teksa fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian, triumf që erdhi me rekord para 70 mijë shikuesve në stadiumin e Mynihut në një garë prestigjioze si ajo e 3000 metrave me pengesa.
Por atletja kuqezi ka vijuar të mbajë një nivel të pabesueshëm, duke e tejkaluar veten e saj në rezultate edhe në sezonin që lamë pas, ndërsa tashmë po përgatitet për Lojërat Olimpike, si e vetmja sportiste shqiptare që ka siguruar kualifikimin me normë, së bashku me mundësin Zelimkhan Abakarov (sportist rus i natyralizuar me pasaportë shqiptare). Mirëpo, viti 2024 nuk ka nisur ashtu sikurse do të dëshironte për kampionen kuqezi, e cila nuk ka marrë shpërblimet që i takojnë sipas ligjit për disa nga arritjet e saj, duke u ndeshur me probleme në Ministrinë e Arsimit dhe Sportin, institucion, të cilin në fakt duhet ta kishte në krah për ti shërbyer dhe jo për ti nxjerrë pengesa dhe interpretime absurde ligjore.
Teksa ka pritur dhe shpresuar më shumë se 1 vit e gjysmë në zgjidhjen e këtyre ngërçeve, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Luiza Gega ka shprehur zhgënjimin e saj për situatën e krijuar. Luiza shpjegon me detaje përplasjet që ka pasur me ministrinë, duke nisur nga refuzimi i shpërblimit për medaljen ballkanike, deri te rekordi ballkanik që i mohon shteti shqiptar, për të vijuar me 13 rekorde kombëtare që i sfumon për momentin VKM-ja e çuditshme. Gega flet gjithashtu edhe për një premtim që i bëri kryeministri Rama, ndërsa kritikon edhe disa qëndrime të papranueshme të zv.ministrit të MAS, Endrit Hoxha.
Luiza, si zakonisht edhe ky fillim viti ju gjen në grumbullim. Si po shkon faza përgatitore?
Sigurisht që edhe ky vit do të më gjente në grumbullim, sepse kemi një vit shumë të rëndësishëm, duke qenë se janë edhe Lojërat Olimpike. Në fakt 10 vitet e mia të fundit kanë qenë në grumbullime, sidomos në këtë periudhë në Kenia, kjo edhe për shkak të të ftohtit si dhe të lartësisë. Faza përgatitore po shkon shumë mirë, këtë vit e kemi ndryshuar pak për ti paraprirë ndonjë dëmtimi që mund të ndodhë, pra për të qenë le të themi më vigjilent dhe më të sigurt që ta sjellim formën më të mirë në muajt qershor, korrik.
Në këto muaj kam edhe dy aktivitet më të mëdha, Lojërat Olimpike dhe Kampionatin Europian, kështu që stërvitjet vijojnë normalisht dhe po bëjmë shumë volume. Jam e kënaqur në fakt, pasi po reagoj shumë mirë. Ndonjëherë kapem te mosha, por rezultatet, stërvitjet dhe garat tregojnë që nuk ka lidhje, kështu që më pëlqen shumë kjo pjesë, pasi dua të shikoj se ku i kam limitet dhe sigurisht që kam shumë dëshirë dhe po përpiqem fort që limitet, pra maksimumi im, të jenë pikërisht në Lojërat Olimpike.
Në një postim të bërë nga ju së fundmi në rrjetet sociale keni ngritur problemin e shpërblimeve, me ministrinë që refuzon t’u japë shpërblimin e një aktiviteti, ku organizatorët nuk kanë bërë kontrolle dopingu…
Në fakt nuk do të doja që të arrija në këtë pikë dhe nuk do të doja vërtetë që të mërzitesha edhe në këtë formë. Jam para aktiviteteve shumë të rëndësishme dhe dua që të gjitha energjitë dhe fokusin tim ta kem në stërvitje, për të duruar qoftë lodhjet dhe për të pasur më të qartë dhe më të sigurt objektivin se ku dua të mbërrij. Por kam një vit e gjysmë që kam pritur dhe nuk kam folur, duke shpresuar se gjërat do të ndryshojnë. Këtu ka disa pika dhe nuk është vetëm ajo që unë kam shprehur në “Instagram”, pasi ajo ishte vetëm pika e fundit, pas përgjigjes që më erdhi nga ministria.
Më konkretisht, për cilin aktivitet bëhet fjalë?
Në Kampionatin Ballkanik të krosit, garë ku dola e para. Kërkohet që nga federata, trajneri ose sportisti, duhet bërë një kërkesë për shpërblimin dhe në rastet ku bëhet kontroll dopingu, ti duhet t’ia bashkëngjitësh kërkesës për të marrë shpërblimin. Ndërsa për këtë rast federata kishte sqaruar se nuk ka kontroll, sepse nuk kishte pasur nga organizatorët, duke u treguar shumë e sinqertë në këtë pikë. Na vjen një përgjigje që nuk mund të merret shpërblimi, duke qenë se aty nuk ka pasur fare kontroll dopingu, ndërkohë që nuk ka asnjë pikë që e përcakton këtë gjë.
Si funksionojnë përgjithësisht testet e dopingut në eventet e atletikës?
Jo më larg se në muajin qershor unë u shpalla kampione e trefishtë e Ballkanit, sigurisht edhe aty nuk bëra kontroll, sepse nuk mu kërkua diçka e tillë. Por asnjë sportist besoj, sidomos në nivelin tim, nuk shkon me idenë se çfarë do të ketë, do të bëhet kontroll, apo jo. Unë shkoj me objektivin thjesht për të arritur qëllimin tim dhe pastaj është agjencia e antidopingut që ka për detyrë të mendojë nëse unë duhet të futem apo jo në test. Kjo ndodh edhe në aktivitete shumë të mëdha si në Diamond League, që ndoshta mund të dalësh edhe i pari dhe nuk të zgjedhin për tu futur në kontroll, ndërsa mund të përzgjidhet vendi i tretë, sepse kështu e mendojnë ata. Janë ata që kanë për detyrë ta monitorojnë, si e mendojnë apo e përcaktojnë dhe jo unë, pra jo sportisti. Që në momentin nëse unë do të mendojë që po shkoj në një kompeticion që ka aspo nuk ka teste, që aty besoj që vdes motoja më e rëndësishme për sportin, siç është loja e pastër dhe e ndershme. Kështu që vërtetë ndihem shumë e zhgënjyer, sidomos nga ajo përgjigje.
Ndërkohë, ju gjatë kësaj periudhe jeni testuar si zakonisht, teksa kontrollin më të fundit për doping e publikuat vetëm pak ditë më parë?
Që prej vitit 2013 jam një nga sportistet e vetme për kaq vite me radhë që monitorohem nga agjencia e botërore e antidopingut, duke qenë se jam në këto nivele. Gjithmonë kam qenë e gatshme në çdo sekondë, kur më është kërkuar për të kryer të gjitha testet që ata vendosin, si nga Agjencia Ndërkombëtare apo edhe nga Agjencia Kombëtare e Anti-dopingut. Jam një sportiste që bëj më shumë se 20 kontrolle në vit dhe vetëm dy muajt e fundit kam bërë 6 të tilla, ku kanë qenë edhe muaj ku unë u shpalla kampione e Ballkanit në kros, kështu që më duken totalisht absurde këto përgjigje që më jepen. Mund të marr edhe një shembull tjetër, në vitin 2022 Federata Shqiptare e Atletikës organizoi Kampionatin Ballkanik të gjysmë-maratonës, aktivitet që u zhvillua pikërisht te Kodrat e Liqenit.
Edhe në këtë garë unë dola e para dhe mora shpërblimin, ndërsa në këtë aktivitet nuk ka pasur fare kontroll dopingu dhe mua ma dhanë shpërblimin. Pra, kur duan nuk ka shkelje ligjore për të dhënë shpërblimin, ndërsa kur nuk duan, nuk e japin dhe nxjerrin pretekstin që ka shkelje ligjore. Por në të vërtetë nuk ka asnjë shkelje ligjore, pasi në momentin që unë bëj kontroll në një aktivitet, sigurisht kam për detyrë ti bashkëngjitë përgjigjen që më ka ardhur nga ai test që unë kam kryer. Por unë nuk kam asnjë të drejtë të shkoj dhe t’u them që duhet të më bëni kontroll, pasi nuk e vendos unë diçka të tillë. Pra, medaljen e artë ballkanike që unë mora në kros mua ma njeh Federata Ballkanike por nuk ma njeh shteti im, kjo është arsyeja pse ndihem vërtetë e fyer.
Ju thoni se shpërblimi i medaljes së artë në Ballkanikun e krosit nuk është problemi i vetëm që keni hasur në ministri?
Shqetësim tjetër prej një viti e gjysmë është edhe rekordi ballkanik që unë kam thyer në Kampionatin Botëror. Sipas ministrisë unë nuk meritoj ta marr, sepse sipas tyre rekordi ballkanik duhet thyer në Kampionat Ballkanik, por nuk ka asnjë pikë në VKM që ta citojë këtë fjali. Thjesht këtë fjali e citon zyra juridike, të paktën kështu më është komunikuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Për të dhënë një shembull që ndoshta mund të kuptohet edhe më mirë nga sportdashësit, asnjë rekord duke e nisur që nga maratona, nuk është thyer në Kampionat Botëror, por njihen si rekorde botërore. Rekordin ballkanik mua ma njeh Federata Botërore, Federata Europiane si dhe Federata Ballkanike, por nuk ma njeh Ministria e Arsimit dhe Sportit, sepse thjesht kështu e mendon.
Çfarë përgjigjeje ju kanë dhënë nga komunikimi që keni pasur me ta?
Kjo është një pjesë që ndihem vërtetë e pa vlerësuar. Kam komunikuar me ministrinë dhe janë pikërisht këto përgjigjet fyese që më kanë kthyer. Jam munduar qoftë në rrugë zyrtare, duke bërë kërkesa dhe duke u shprehur shqetësimet e mia, por edhe miqësisht, duke pasur një takim rreth para një muaji me ministren. Më tha që do të shikohen se çfarë zgjidhjeje mund të jepet, por me sa shoh gjërat jo vetëm që nuk po zgjidhen, përkundrazi po marr disa përgjigje që fyejnë të gjithë karrierën time.
Gjithashtu ministria po ju mban peng edhe me rekordet kombëtare?
Nuk më njihen rekordet kombëtare që unë vendos në aktivitete ndërkombëtare që njihen nga Federata Botërore e Atletikës. Federata Botërore më njeh të gjithë rekordet si rekorde kombëtare, duke qenë se ato janë realizuar në aktivitete zyrtare të saj. Ndërkohë, edhe këto ministria nuk i njeh dhe citon në VKM që duhet ti thyesh rekordet kombëtare zyrtare në aktivitete që bëhen në Shqipëri. Ndërkohë që Federata Botërore nuk m’i njeh rekordet këtu edhe për faktin se Federata Shqiptare e Atletikës tashmë është në monitorim, pasi nuk plotëson standardet që duhen për të njohur rekordet kombëtare. Pra, kuptohet qartë që është diçka totalisht absurde dhe kjo është arsyeja pse unë jam kaq e irrituar.
Për sa rekorde bëhet fjalë?
Kam 13 rekorde kombëtare që unë pres që të sistemohet VKMja, sepse vetëm për rekordet kombëtare në fakt ka një ngërç që nuk më lejon ti marr. Pritet që të ndryshohet, ende nuk është bërë asgjë, por më është thënë që kjo gjë do të rregullohet. Të paktën kështu është komunikimi verbalisht që kam pasur për këtë çështje. Ndërsa për rekordin e Kampionatit Ballkanik, qoftë edhe për medaljen e krosit ballkanik më është kthyer përgjigje që nuk do ti merrni për arsyet që përmenda.
Verën e kaluar ju morët medalje të artë në Lojërat Olimpike Europiane, së bashkë me Alvin Karaqin në karate, të parat në histori për Shqipërinë. A keni përfituar shpërblim për këtë arritje?
Dua të jem e drejtë, për këto Lojëra nuk ka asnjë shpërblim të vendosur në VKM, kështu që nuk më lind e drejta të kërkoj asgjë për aq kohë sa nuk është në VKM. Ndoshta do të futet, nuk e di se çfarë mendohet të bëhet, por nuk kam ngritur asnjë shqetësim për sa i përket Lojërave Olimpike Europiane. Sigurisht që bëhet fjalë për një medalje me shumë rëndësi dhe unë personalisht mendoj që duhet të marrë shpërblim. U bë edhe një bujë e madhe për këto arritje, pasi ishin vërtetë 2 medalje të arta historike për vendin tonë në një aktivitet të një niveli shumë të lartë, por këtë pjesë ua lë personave që merren me këtë punë nëse duan ta vendosin apo jo në shpërblim.
Si askush tjetër, për vite me radhë keni çdo rezultat tuajin brenda normës olimpike, ndërsa keni siguruar edhe kualifikimin së bashku me mundësin Zelimkhan Abakarov. Si ndiheni tashmë që jemi disa muaj nga “Paris 2024” dhe e shikoni veten mes gjithë këtyre problemeve?
Mund të them që ndihem e zhgënjyer. Unë e di që shumë njerëz mund ti kem kundër te kjo pjesë, sepse shpesh herë kam shprehur të gjitha të mirat që ka bërë ministria, VKM-të apo ligjet, dhe sigurisht ka shumë gjëra të mira që janë bërë pikërisht për shpërblimet. Por ngërçi që unë gjej është në mos dhënien e tyre dhe kjo sjell shqetësim tek unë. Siç e shpreha unë pjesën më të madhe të këtyre shpërblimeve i kam shpenzuar në grumbullime. Unë rri pothuajse 8 muaj të vitit në grumbullim nëpër male, sigurisht kjo është një zgjedhje e imja për tu bërë një sportiste më e mirë, duke bërë sakrifica, sepse e dua këtë që bëj. Dua të përfaqësoj si veten gjithashtu edhe vendim tim denjësisht.
A ju shpërqendron kjo situatë?
Sigurisht që më shpërqendron dhe të jem e sinqertë edhe këto ditë jam ndjerë shumë e shpërqendruar në stërvitje. Patjetër që mërzitjet ndikojnë, pasi në fund të ditës unë jam njeri, nuk jam makinë që programohem. Kam ndjenja dhe më mërzit fakti sepse vërtetë mendoj që jam munduar fort për të bërë vendin tim krenar dhe për ti sjellë medalje për herë të parë në histori, si medaljen europiane, mesdhetare, rekordin mesdhetar, vendin e pastë në botë, apo normën e kapur 3 herë për në Lojërat Olimpike.
Ndërkohë, një arritje e jashtëzakonshme është edhe rekordi i Kampionatit Europian, ku edhe aty ka një ngërç në VKM. Për këtë jeni shprehur se vetë kryeministri Rama ju ka premtuar se do të zgjidhet, apo jo?
Për sa i përket rekordit të Kampionatit Europian, ju të gjithë e dini diskutimin me kryeministrin Rama, të cilin në fakt vërtetë dua të falënderoj, sepse jam ndjerë shumë e vlerësuar. Por kjo nuk ka të bëjë me kryeministrin, sepse nuk është ai personi që duhet të merret me shpërblimet e mia. Kryeministri ka disa ministri përkatëse që duhet të kryejnë detyrën e tyre. Në atë pritje që mu bë, mu komunikua se sa do të jetë do shpërblimi im për rekordin e Kampionatit Europian dhe sa do të jetë shpërblimi im për medaljen Europiane. Më tej hasa ngërç, pasi VKM-ja në fakt nuk e përfshinte, pasi përfshinte vetëm rekordin europian, pavarësisht se u bë mediatike dhe u komunikua se do të merrja 100 milionë lekë të vjetër, 60 milionë për rekordin dhe 40 milionë për medaljen.
Kjo ndoshta edhe nuk do të merret kurrë, sepse nuk e përfshin VKM-ja. Gjithsesi unë ja shpreha shqetësimin tim kryeministrit në një takim që patëm kur u dekoruan disa sportistë të tjerë, event ku isha edhe unë prezente. Kryeministrit i thashë që unë atë shpërblim besoj nuk ta marr kurrë, pavarësisht se ju ma cituat. Kryeministri në prezencën time thirri ish-ministren Kushi, të cilën gjej rastin ta falënderoj, sepse kurrë nuk kam hasur asnjë pengesë, madje ka qenë dashamirëse për ti sistemuar të gjithë këto ngërçe, por ndoshta nuk ishte koha e mjaftueshme për shkak se duhet të linte detyrën. Pra kryeministri i la detyrë ish-ministres Kushi që duhet të zgjidhni VKM-në, me këto ngërçe që keni krijuar dhe të sistemoni gjithçka, sepse është një rekord vërtetë historik që nuk ka ndodhur kurrë.
Kjo ka qenë e gjithë historia dhe unë vërtetë që nuk dua kurrë që të jem kundra askujt, asnjë institucioni, apo individi, por e vetmja gjë që dua është që mos të më cenohet e drejta ime, mos të më hahet djersa ime për të cilën punoj fort. Lodhem fort për ta arritur dhe nuk kam kërkuar kurrë në jetë asgjë të pamerituar. Nuk e dua diçka të tillë, pasi nuk e shijoj dot dhe nuk e dua kurrë në këtë formë. E vetmja gjë që kërkoj është ajo që më takon, vetëm kaq.
Sa është kostoja financiare për një sportiste të rangut botëror si ju, për të përballur një sezon?
Duke qenë se po flasim për kostot, një gjë tjetër që sigurisht më ka shqetësuar dhe dua ta theksoj është se zv.ministri Endrit Hoxha, sa herë që është pyetur se çfarë mundësish do t’i ofroni Luiza Gegës, që do na përfaqësojë në Olimpiadë, gjithmonë nuk ka thënë asgjë, përveçse se thotë që unë duhet të bëj llogaritë se sa lekë paskam marrë nga shpërblimet e ministrisë. Por ai kurrë nuk ka llogaritur se sa shpenzon kjo sportiste për të qenë në këtë nivel që ndodhet. Të jem e sinqertë më shkon minimumi 60 mijë euro në vit për të qëndruar në këtë nivel.
Duket ndonjëherë sikur dua vetëm që të qahem, por nuk është kështu, sepse harxhoj vërtetë shumë dhe për të marrë pikërisht këtë “feedback” nga ministria. Kështu, edhe për këtë pjesë më vjen shumë keq, sepse një ministër nuk duhet të bëjë llogaritë se sa merr një sportist, por duhet të bëjë edhe llogari të tjera, se si mund ti bëjë gjërat më mirë dhe çfarë mund të përmirësojë për këtë sportiste që është një nga të vetmet që do të na përfaqësojë në Lojëra Olimpike. Cili është mesazhi, apo apeli juaj për këtë situatë? Një tjetër gjë që më vjen keq është se kryeministri ka cituar shpesh herë që sot sportistë nuk i kemi në pikën që vijnë dhe ankohen në ministri për të marr shpërblimet.
Por për fat të keq ende vazhdohet me padrejtësi. Ndoshta ministrisë i duket se po marr shumë shpërblime, por për fat të keq për momentin jam e vetmja sportiste në atletikë që po i sjell medalje Shqipërisë dhe nuk është aspak shumë për atë që unë mundohem, për atë që unë harxhoj dhe për atë që unë arrij. Thjesht mesazhi im, sidomos për ministrinë, është që të mos i hahet haku asnjë sportisti, përfshirë edhe mua, vetëm kaq
LEXO EDHE: Ankesat e Luiza Gegës, reagon ministria e sporteve: Ka marrë 13 shpërblime, do vazhdojmë ta mbështesim