Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Eksperti amerikan për rregulloren e BQK-së: Kjo vetëm shton tensionet Kosovë – Serbi

 
   

Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, ka thënë se insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rregulloren e re të BQK-së e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme në gjithë vendin është i pamenduar mirë, pasi siç thotë ai, kjo vetëm shton tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Alon Ben-Meir konsideron se ky veprim i Kurtit është një mjet politik për të afirmuar pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Unë besoj se këmbëngulja e Kurtit për përdorimin e një monedhe të vetme është e pamenduar, edhe sepse BE-ja po këshillon kundër saj, pasi kjo vetëm sa shton tensionin dhe konfliktin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe në këtë aspekt, gjithashtu ndikon negativisht në negociatat në shumë çështje të tjera mes dy vendeve”, ka thënë Alon Ben-Meir.

Ndonëse siç thotë eksperti amerikan, Kosova ka përdorur euron që nga shkurti i vitit 2002, serbët në veri e kanë përdorur dinarin dhe se, sipas tij, kjo rregullore është bërë pa i dhënë kohë të mjaftueshme komunitetit serb për të arritur një marrëveshje të ndërsjellë.

“Shqetësimi im është se kryeministri Albin Kurti tani po e përdor problemin e monedhës jodomosdoshmërisht për të përmirësuar sistemin financiar në Kosovë—për të parandaluar evazionin fiskal dhe pagesat e pamonitoruara të parave nga qeveria serbe, por si një mjet politik në një tjetër përpjekje për të afirmuar e Kosovës. Nuk ka asnjë arsye apo arsyetim për të shpjeguar se përse një veprim i tillë, i cili ka një ndikim të rëndësishëm në veçanti për serbët në veri, është bërë pa u dhënë kohë të mjaftueshme, të paktën gjashtë muaj deri në një vit, për të arritur një marrëveshje të ndërsjellë në mënyrë që të të bëjë rregullimet e nevojshme për serbët në veri të Kosovës dhe të lërë më shumë kohë për ta zgjidhur këtë çështje përmes negociatave sikurse për targat e veturave, për të cilat të dyja palët kanë arritur një marrëveshje, sado kohë që mund të kishte marrë”, ka vijuar ai.

Sipas profesorit amerikan, kjo rregullore e re ndikon në jetën e përditshme të serbëve, pasi ata varen nga pagat dhe ndihmat financiare nga Serbia duke përdorur dinarin dhe jo euron.

“Fakti që Banka Qendrore e Kosovës thotë se nuk ka asnjë kundërshtim që transaksionet të bëhen me dinarë përderisa ato kryhen zyrtarisht përmes sistemit bankar, nuk e forcon ekonominë e Kosovës dhe nuk e ndryshon domosdo qëndrimin e serbëve në veri të Kosovës. Në fakt, kjo vetëm i hidhëron, pasi ata e shohin si të detyruar të miratojnë një masë që ndikon në jetën e tyre të përditshme, veçanërisht sepse ata varen nga pagat dhe ndihmat financiare nga Serbia ose Beogradi duke përdorur dinarin dhe jo euron”, ka theksuar Alon Ben-Meir.

Alon Ben-Meir konsideron se ky vendim i Kurtit për rregulloren është i motivuar nga fakti se janë zgjedhje të reja në horizont.

“Mund të shtoj se duke e bërë këtë në këtë moment të caktuar, nuk mund të shmanget përfundimi se vendimi i Kurtit është i motivuar nga fakti se janë zgjedhje të reja në horizont, dhe ai dëshiron të demonstrojë përkushtimin e tij kombëtar për pavarësinë e Kosovës përmes përdorimit të një valute edhe pse i mungon ndonjë urgjencë dhe shumë pak substancë”, vlerëson profesori amerikan.

Ai propozon që Kosova të shtyjë zbatimin e kësaj rregulloreje për disa muaj, duke qenë në koordinim me BE-në dhe dhe të dalë me një zgjidhje me të cilën të dyja palët mund të bien dakord.

“Natyrisht, Kurti ka nevojë për një rrugëdalje për të ndryshuar pozicionin e tij dhe për këtë qëllim, ai duhet të shtyjë zbatimin e politikës së një monedhe për disa muaj në pritje të diskutimit me BE-në dhe të dalë me një zgjidhje me të cilën të dyja palët mund të bien dakord”.

Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për miratimin e rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake.

ShBA-ja po ashtu ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.

Kurti sërish në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përsëriti qëndrimin e tij se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.