Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Eksperti i ndërtimtarisë thotë se të akuzuarit vepruan në bazë të sugjerimeve të tij për demolimin e ballkoneve

 
   

Eksperti i ndërtimtarisë Lulzim Dema gjatë rigjykimit të ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Fushë-Kosovës, Afrim Krasniqi si dhe inspektoreve të ndërtimit Mobere Hyseni, Doruntina Dumani dhe Valbona Ferati, të akuzuara për keqpërdorim të pozitës zyrtare ka thënë se të akuzuarit kanë vepruar në bazë të sugjerimeve të tij për demolimin/prerjen e ballkoneve.

Ata akuzohen se nuk i kishin ndërprerë punimet e kundërligjshme dhe nuk kishin nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar investitorit “Princesha Construction”, me pronar Shpend Bajra të përfitojë nga këto ndërtime, i cili kishte pasur tejkalim të lejes ndërtimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po kanë vepruar në bazë të sugjerimeve të mia dhe demolimin- prerejn e ballkoneve  e kanë bërë sipas rekomandimeve të mia”, tha eksperti Dema.

Një deklarim të tillë, i njëjti e dha duke u përgjigjur në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, Alltën Murseli  pasi që deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklarimeve të mëparshme të dhëna lidhur me këtë çështje.

Dema tha se gjithçka ka qenë në përputhje me vijën ndërtimore të objekteve në atë zonë pas demolimit-prerjes së ballkoneve.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Zef Prendrecaj, eksperti tha se sipas tij tejkalimi i ndërtimit ka qenë përafërsisht 200 metra katrorë (m2).

Gjithashtu, Dema duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Afrim Krasniqi, avokatit Arbër Guta lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të nxjerra nga inspektorati, tha se sipas tij vendimet e Inspektoratit kanë qenë të ligjshme dhe meritore për rrenim të pjesës së cekur në raport.

Tutje, në këtë seancë është dëgjuar edhe eksperti i gjeodezisë Hamit Basholli, i cili tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna më herët.

Ai tha se sipas tij, objekti në fjalë është i zhvendosur nga pozicioni sipas lejes ndërtimore, mirëpo nuk ka dëshmi nëse objekti është vendosur sipas pikave gjeodezike apo jo.

 “Mungesa e pikave te lejes ndërtimore mungon në dosje të gjykatës, në lejen për ndërtim të lëshuar nga komuna nuk janë paraparë koordinatat- pikat se ku duhet të ndërtohet objekti”, tha Basholli.Pas këtyre deklaratave, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e prokurorit Prendrecaj që në seancën e radhës të dëgjohen Afet Axhani dhe Avdullah Prebreza, si dhe u aprovua propozimi i mbrojtjes për dëgjimin e Fatmire Szylaj në cilësi të dëshmitares.

Seanca e radhës është caktuar për 20 tetor 2023.

Ndryshe, më 20 qershor 2022, të akuzuarit ishin liruar nga akuzat me arsyetimin se pas administrimit të provave nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë.

Ndryshe, ky rast është kthyer në rigjykim përmes aktgjykimit të Apelit më 1 nëntor 2022, me anë të së cilit janë aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa është anuluar aktgjykimi i Themelores, andaj lënda është kthyer në rivendosje.

Sipas aktakuzës së ngritur me 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspekcionit në Fushë Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë-Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare.

Aktakuza thotë se Dumani dhe Hyseni, gjatë vizitës së punishtes më 30 maj 2014, kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit për ndërtimin e objektit numër l, sipas lejes ndërtimore të “Princesha Construstion”, dhe kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë-Kosovës.

Ndërsa, Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, gjatë periudhës kohore 2015-2016, thuhet se nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalimit të lejes ndërtimore.

Si rrjedhojë e kësaj, të akuzuarat Hyseni, Dumani dhe Ferati, thuhet se i kishin mundësuar investitorit të vazhdojnë ndërtimin e objekteve me tejkalim të lejes, t’i përfundojnë ndërtimet dhe të pajisen me leje plotësuese, duke mos respektuar lejet ndërtimore, për të cilin tejkalim ka qenë në njohuri edhe i akuzuari Krasniqi, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarr asgjë për të parandaluar këtë ndërtim.

Po ashtu, të akuzuarat Ferati dhe Dumani thuhet se kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Prokuroria katër të akuzuarit i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.