Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Eksperti i sigurisë sqaron pasojat e vendimit të ShBA-së për zgjatjen e emergjencës kombëtare për Ballkanin

 
   

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, tha se nëse Kosova nuk arrin ta bindë ShBA-në që është burim i sigurisë dhe paqes, atëherë sipas tij, do të ketë probleme në fushën e ekonomisë dhe sigurisë.

“Për Kosovën nuk është vendim i mirë. Ky urdhër i Biden tregon edhe një herë investimet që ka State Departmenti Amerikan në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Derisa kemi një vazhdim të një urdhri të tillë, kemi situatë emergjente. Derisa kemi një situatë emergjente, pa dyshim që kemi të bëjmë me struktura të sigurisë. Për 1 vit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e konsiderojnë Kosovën dhe Ballkanin një vend të sigurt ku mund t’i drejtojnë investitorët e tyre për një ekonomi më stabile. Nëse Kosova nuk arrin t’i bindë shtetet e fuqishme, siç janë ShBA-ja, që tanimë Kosova është burim i sigurisë dhe paqes, do të kemi probleme në fushën e ekonomisë, e pastaj pa dyshim që do të kemi probleme edhe në fushën e sigurisë”, deklaroi Elezi.

Mirëpo, eksperti i sigurisë, ende më shqetësuese e sheh faktin që Kosova akoma mbetet një vatër nga ku mund të rrezikohen aktivitetet e paqes që ShBA-të kanë në Ballkan e rajon.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe situata aktuale në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.