Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi thotë se veprimet e Qeverisë mund të shkaktojnë jo siguri për pjesën e Mitrovicës lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Ai tha se Kosova s’duhet ti jap Serbisë arsye që të ushtrojë aktivitete, të cilat destabilizojnë vendin.
“Institucionet duhet të kenë kujdes në veprimet e tyre të cilat mund të shkaktojnë pa siguri. Situata e sigurisë është mjaft e brishtë dhe ekziston rreziku që Serbia të organizojë aktivitete të dhunshme, atëherë ne duhet të kemi kujdes të shtuar që mos të krijojmë arsyetimin e Serbisë për të përdorur Komunat me shumicë serbe për të ushtruar aktivitete, të cilat do ta destabilizonin jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”.
Elezi tha se veprimet politike nuk duhet të merren në aspektin e sigurisë.
“Duhet të veprojmë krahas zhvillimeve e jo politikisht se nuk është politikë ajo që duhet të determinoj zhvillimin e sigurisë. Kurti duhet të koordinohet me faktorin ndërkombëtar dhe me institucionet tona të sigurisë për të parandaluar ndonjë tension të mundshëm”, përfundoi ai.
Tema për hapjen e urës ishte diskutuar në takimin e para rreth dy javësh që Kryeministri Albin Kurti e kishte me ambasadorët e shteteve të QUINT’it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar Zyra e Kryeministrit pas atij takimi.
Një ditë pas këtij takimi, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se hapja e urës nuk është kundër askujt.
“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”.