Eksperti i Sigurisë, Bedri Elezi, është shprehur se efektivët e Policisë të ndaluar nga Serbia kanë keqtrajtuar dhe lënë pa ushqim e medikamente shëndetësore.
Komentet Elezi i bëri në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, ku tha se policët nuk u ndaluan, por u rrëmbyen nga autoritetet serbe.
Ai tha gjithashtu se kishte dyshime se zëvendës drejtori i Policisë dhe policët e tjerë të ndaluar, mund të jenë lënduar me armë biologjike që i përdorin shërbimet sekrete serbe, të cilat e japin më vonë efektin në shëndetin e tyre.
“Edhe ky rast ishte një rrëmbim i qytetarëve të Kosovës dhe zyrtarëve policorë dhe zyrtarëve shtetërorë, të cilët për shkak të një intervenimi të jashtëzakonshëm të SHBA-ve, janë liruar, por janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht, madje duke i privuar edhe nga e drejta e të ushqyerit apo e medikamenteve apo ilaçeve.
Ky lloj rrëmbimi është tregues i qartë se çfarë është e gatshme Serbia të bëjë. Ne kemi frikë edhe për jetën e të marrëve peng, sepse ne e dimë që shërbimet sekrete serbe përdorin mjete dhe armë biologjike. Dhe ne dyshojmë se zv.drejtori i Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e tjerë mund të jenë lënduar me armë biologjike, që mund të japin efekte të mëvonshme.
Është rrëmbim, sepse e ka norma kur duhet të ndalohet një person. Janë 15 minuta kur një person ndalohet deri në 6 orë kur gjenden parregullsi në dokumentacionin e tyre. Rastet kanë qenë të ndaluar nga 15-20 orë”, tha Elezi.