Një 54-vjeçar shqiptar i cili njihej me 3 emra është deportuar në Shqipëri pas arrestimit në SHBA, ku sipas një vendimi të lëshuar nga një gjykatë shqiptare në 2013-ën, deklarohej si i vdekur në vitin 2003 në Amerikën Latine.
Bëhet e ditur se në pranga ka rënë Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54 vjeç. Ky i fundit rezulton të jetë i dënuar edhe në Itali me 25 vite burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Ndërkohë në Shqipëri, 54-vjeçari do t’u nënshtrohet hetimeve për ngjarje kriminale të ndodhura më përpara ku dyshohet të ketë qenë i përfshirë.
“Deportohet në Shqipëri, për t’u përballur me akuzat për disa vepra të rënda penale, një 54-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, I cili në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine. 54-vjeçari, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 25 vjet burgim, për disa vepra penale. Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar”, thuhet nga Policia e Shtetit.