Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ekzekutimi brutal i vëllezërve Haxhia, 25 vjet burg ushtarit të vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani! Si i penduari i drejtësisë i nxori në pritë

Gjykata e Posaçme ka dhënë dje vendimin për katër anëtarë të grupeve të mëdha kriminale, që përgjakën vendin në më shumë se një dekadë.

Duke iu referuar një mori dëshmish që dolën nga vrasësit me pagesë të këtyre grupeve, Prokuroria e Posaçme dhe GJKKO pretendojnë se kanë mundur të hedhin dritë mbi vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj nga Puka, të cilët u masakruan në një pritë në një fshat të Durrësit 4 vjet më parë. Në fakt, personi që nisi të rrëfente bëmat gjakësore të killerave që jetonin mes Elbasanit, Durrësit e Tiranës, ishte pikërisht Klevis Alla, një i ri, që u arrestua pas vrasjeve zinxhir që tronditën vendin.

Ai gënjeu duke ua faturuar ekzekutimet e vëllezërve Haxhiaj dhe dy djemve të tjerë po në Durrës, Altin Ndocit dhe Talo Çelës, por më pas ndërroi dëshmi dhe i tha prokurorisë se kishte gënjyer nga frika se Nuredin Dumani do të vriste familjen. Madje, Alla tregoi se Dumani, dëshmitari i besuar i SPAK për një mori krimesh mafioze dhe monstruoze, e kishte kërcënuar se do t‘i vriste motrën nëse ai kapej nga policia dhe tregonte të vërtetën për vrasjet e ndodhura në Durrës.

Dhe Alla dëshmoi të vërtetën pasi Dumani ra në pranga, teksa u plagos në një pritë ende të pazbardhur në Elbasan, teksa ishte nisur të ekzekutonte një person bashkë me Enrik Hoxhën. Por, Alla është dënuar dje me 25 vjet burg për 5 akuza, ku më kryesorja ka të bëjë me bashkëpunimin në vrasjen e dy vëllezërve pukjanë. Alla e pranoi se e kishte marrë ai njërin nga djemtë në telefon të vinin te tregu i makinave, por për fatin e keq të tyre, ata kishin ardhur të dy dhe më pas Nuredin Dumani ua mori jetën brutalisht me breshëri kallashnikovi bashkë me një person tjetër!

VENDIMI

Dje u bë me dije zyrtarisht se GJKKO ka dhënë 36 vite burg për 3 prej personave të përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”, një prej dosjeve që tronditi opinionin publik për nga krimet e zbardhura nga i penduarit e drejtësisë, Nuredin Dumani. Me vendim të Gjykatës së Posaçme, Klevis Alla është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në prill 2020 në Durrës.

Ndërkohë, 11 vite burg janë dhënë për Besjan Xhixhën dhe 5 vite Enver Divën, të dy të përfshirë në vrasjen e Bujar Çelës. Klevis Alla e humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi ka dhënë deklarata të rreme lidhur me ngjarjet kriminale të përfshira në dosjen “Plumbi i Artë”. I njohur ndryshe edhe si “çapaçuli”, Klevis Alla pati deklaruar se autor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia ishte pikërisht Talo Çela dhe Altin Ndoci.

Dëshmitë e Allës kanë rënë në kontradiktë me ato të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili ka dëshmuar se Altin Ndoci nuk ka qenë i përfshirë në këto 2 vrasje në Durrës. Kështu, GJKKO ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, duke e shpallur të pafajshëm. Lidhur me këto dy vrasje më herët janë pushuar akuzat edhe për Talo Çelën.

PJESËMARRJA E ALLËS NË VRASJE

Klevis Alla, sipas GJKKO, ka qenë shofer i makinës me të cilën u transportuan vrasësit e Haxhias. Në dëshminë e tij, ekzekutor ishte Nuredin Dumani, që mbante në kokë një kapuç, bashkë më një tjetër që nuk e njihte. Po ashtu, Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për t’u takuar. Ky i fundit ishte te dyqani i agjencisë dhe pa vonesë ka shkuar te tregu i Shënvlashit bashkë me vëllanë e tij Viktorin.

Sapo makina “Golf 6” është afruar, Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar, kurse ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur. Më pas Dumani zbriti nga makina dhe shtiu përsëri mbi trupat e gjakosur, të cilët i vrau për një borxh të pashlyer. Alla ishte personi që braktisi makinën “Benz” disa metra poshtë varrezave zonës, aty ku ka hedhur dhe armët.

Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 6 vite burg Besjan Xhixhën dhe 5 vite Enver Divën, të dy të përfshirë në vrasjen e Bujar Çelës, më 17 shtator 2020, në Elbasan. Xhixha është shpallur fajtor po ashtu edhe për vendosjen e një eksplozivi në banesën e Talo Çelës në nëntor 2020 në Elbasan. Dëshmitë e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-n.

ALTIN NDOCI

I vetmi ndër të katër personat që u gjykuan për këtë ngjarje që fitoi pafajësinë është Altin Ndoci. Ndoci u arrestua si pjesëmarrës në atë pritë ndaj vëllezërve Haxhia, pasi Klevis Alla e përfshiu emrin e tij me porosinë e Nuredin Dumanit. Emri i Altin Ndocit u përfshi bashkë me atë të Talo Çelës, por ndërsa Ndoci e mohoi në prokurori dhe në gjykatë marrjen pjesë në atë krim pasi ai i kishte shokë, Talo Çela, ndonëse kërkohej nga të gjitha strukturat tona të sigurisë, doli në media dhe hodhi poshtë publikisht këtë fakt.

Çela i konsideruar si një nga personat më të rrezikshëm në vend, që aktualisht është i lirë, e fitoi pafajësinë në arrati për vrasjen dy vëllezërve Haxhia, ndërkohë që është nën disa akuza të rënda për ngjarje të tjera.

Dje GJKKO njoftoi se edhe u shpall i pafajshëm për akuzat e ngritura nga SPAK, por ai nuk mundi ta linte qelinë, pasi është nën hetim për një krim të ndodhur në Peqin 5 vjet më parë. Për atë ngjarje emrin e Ndocit e ka nxjerrë Nuredin Dumani teksa ka rrëfyer për Prokurorinë e Posaçme dhjetëra atentate, vrasje, vënie tritoli, dhunime e grabitje me dhunë.