Gjykata e Apelit ka ulur me dy vite dënimin me burg të Albert Zajës, i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, krim i ndodhur më datën 1 shkurt 2021 rreth orës 10:46 tek Ura e Sheqit në Fier.
Albert Zaja, i cili nuk ka pranuar të jetë i përfshirë në ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit, kishte kërkuar në Apel deklarimin e pafajshëm për akuzën në ngarkim të tij të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim.
Sipas akuzës, i pandehuri ka ndihmuar ekzekutorët të largohen nga vendi i ngjarjes.
Gjykata e Fierit e kishte dënuar Albert Zajën me 21 vite burg. Nga gjykimi i shkurtuar ai përfitonte uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar me 14 vite në qeli.
Ndërkohë Apeli e ka dënuar me 19 vite burg dhe nga gjykimi i shkurtuar i ulet në 12.8 vite burg.
Njoftimi i Gjykatës:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale A. Z, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga 78/1 dhe 25 i K.Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 dhe 25 të Kodit Penal (për armët e përdorura në veprën penale të vrasjes), për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 të Kodit Penal (për armën e llojit pistoletë Glok, e gjetur në momentin e arrestimit) si dhe veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuhetisë dhe sportive” e parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal (lidhur me 23 copë fishekët për armet e zjarrit te gjahut).
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2021, rreth orës 10:46, ku në Lagjen “Sheq i Madh” tek Ura e Sheqit në Fier, është raportuar se është bërë një vrasje me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi me iniciale Sh. K. Një ndër autorët e akuzuar për kryerjen e veprës penale në rolin e ndihmësit është i pandehuri me iniciale A. Z, i cili ka ndihmuar ekzekutorët të largohen nga vendi i ngjarjes.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 1137/ (160), datë 04.04.2023 ka vendosur:
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A. Z për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga nenet 278/1 dhe 25 i Kodit Penal (për armët e përdorura në veprën penale të vrasjes).
Deklarimin fajtor të pandehurit A. Z për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit A. Z për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal (për armën e llojit pistoletë Glok, e gjetur në momentin e arrestimit”) dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
4.Deklarimin fajtor të pandehurit A. Z për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal (per 23 fishekët për armët e zjarrit të gjahut) dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
5.Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një dënimi të vetëm ndaj të pandehurit A. Z, konkretisht me 21 (njëzet e një) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, të pandehurit A. Z, ti ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht të dënohet me 14 (katërmbëdhjetë) vjet burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.Z, i cili kërkoi:
-Ndryshimin pjesërisht të vendimit nr. 160, datë 04.04.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, duke kërkuar deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A. Z për akuzën në ngarkim të tij të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim e parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të K.Penal pasi nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer vepër penale, ose ndryshimin e cilësimit juridik dhe dënimin e të pandehurit me kohën e paraburgimi.
-Dënimin e të pandehurit vetëm për veprat penale të parashikuara nga nenet 278/4 e 280 të K.Penal me kohën e vuajtur në paraburgim nën efektet e masës së sigurimit ‘arrest në burg”.
-Shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” për të pandehurin A. Z.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Dokollari dhe anëtarë znj. Irena Brahimi dhe znj. Edlira Petri, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 1137/160, datë 04.04.2023 të Gjykatës së Shkallës Rrethit Gjyqësor Fier, me këtë ndryshim:
– Dënimin e të pandehurit A. Z, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 I K.Penal me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
– Në bashkim të dënimeve, në aplikim të nenit 55 të K.penal, dënimin e të pandehurit A. Z me 19 (nëntëmbëdhjetë) vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e dënimit e të pandehurit A. Z dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.