Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Elon Musk nuk i dha qasje Kievit në rrjetin Starlink “për ta shmangur përshkallëzimin”

Miliarderi Elon Musk ka thënë se ka refuzuar t’i japë qasje Kievit në rrjetin e komunikimeve Starlink në rajonin e Krimesë, për ta shmangur pjesëmarrjen në një “akt të madhe lufte”.

Ai ka thënë se Kievi i ka dërguar kërkesë urgjente për aktivizim të Starlinkut në Sevastopol, rajon ku gjendet një port i madh i marinës ruse.

Musk i ka bërë këto komente pasi në një libër të publikuar së fundi – biografinë e Muskut të shkruar nga Walter Isaaacson – janë përmendur dyshimet se Musk e ka çaktivizuar Starlinkun për ta shmangur një sulm me dronë në anijet ruse.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i Presidencës ukrainase beson se një veprim i tillë ua ka hapur rrugën sulmeve ruse dhe e ka akuzuar sipërmarrësin amerikan për “kryerje të së keqes”.

Sipas tij, prej atëherë anijet ruse kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj civilëve.

“Duke mos lejuar që dronët ukrainas t’i shkatërrojnë disa pjesë të ushtrisë ruse, përmes ndërhyrjes me Starlink, Elon Musk ka lejuar që kjo flotë të lëshojë raketa Kalibr në qytetet ukrainase”.

Në librin e publikuar në fundi përmenden dyshimet se Musk e ka bllokuar qasjen e Ukrainës në Starlink sepse është frikësuar se sulmi në flotën ruse në Krime, mund të provokojë përgjigje bërthamore nga Kremlini.

Terminalet e Starlinkut lidhen me satelitë të pajisjeve të kompanisë SpaceX – po ashtu në pronësi të Muskut – në orbitë dhe kanë qenë thelbësore për të ruajtur qasjen e Ukrainës në internet, meqë lufta ia ka shkatërruar një pjesë të infrastrukturës.

SpaceX ka dërguar mijëra pllaka satelitore Starlink në Ukrainë, pak pas nisjes së luftës, në shkurt të vitit të kaluar, shkruan REL.

Në librin e ri, Musk ka thënë se SpaceX nuk ka çaktivizuar asgjë, sepse asgjë nuk ka qenë e aktivizuar mbi ato rajone në rend të parë.

“Ka qenë një kërkesë urgjente nga autoritetet qeveritare për të aktivizuar Starlinkun deri në Sevastopol. Nëse do ta pranoja kërkesën, atëherë SpaceX do të përfshihej në një akt të madhe dhune dhe në përshkallëzim të konfliktit”.

Ish-kryeministri rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se “nëse ajo që e ka shkruar Isaacson në libër është e vërtetë, duket se Musk është mendja e vetme adekuate në Amerikën Veriore”.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe shtatë vjet më vonë e ka nisur luftën në pjesën tjetër të Ukrainës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Tags: