Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Elshani: Situata në veri e qetë por delikate

Sot është vendosur që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.

“Situata e sigurisë për momentin është e qetë, është stabile, por është edhe delikate, duke e ditur zhvillimet politike që janë duke u zhvilluar, mirëpo për momentin mund të konsiderohet se është e qetë”, tha ai.

Elshani theksoi se varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë do të bëhet reduktimi i numrit të policëve nga objektet komunale në veri, ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, ndërsa shtoi se policia nuk ka ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi.

“Njëherë për njëherë ne jemi në tërë territorin e Kosovës, nuk kemi ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi. Mund të konsideroj se mund të jetë një vlerësim i situatës së sigurisë në formë të përgjithshme ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, në mënyrë që ne të vendosim se sa policë do të jenë nëpër ndërtesat e komunave, mirëpo nuk ka ndonjë plan që policët të tërhiqen në pjesën tjetër të veriut të Kosovës”, vijoi Elshani.

Autoritetet policore thonë se policët serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor të vitit të kaluar nuk do të kthehen më në polici, ndonëse pranojnë se marrëveshjet politike do ta përcaktojnë fatin e tyre.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut bëri të ditur për KosovaPress se prej më shumë se 500 policëve serbë të dorëhequr në nëntor të vitit të kaluar, të gjithë i kanë kthyer pajisjet, duke përfshirë këtu edhe armët.

“Unë mendoj se ata të cilët kanë dhënë dorëheqje janë larguar nga policia dhe nuk do të kthehen më. Sidoqoftë, marrëveshjet politike janë ato të cilat përcaktojnë ndoshta ndonjë veprim tjetër… Nuk e kam atë informacion së paku unë që ka policë i cili nuk e ka dorëzuar armën”, tha Elshani.

Derisa nuk flet shumë për shkak të hetimeve, nëse janë identifikuar ose arrestuar të gjithë personat të cilët kanë sulmuar së fundi pikat policore me shok-bomba, granata dhe mjete tjera të ngjashme në atë pjesë, Elshani tregon se policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave kundër gazetarëve, KFOR-it dhe policisë.

“Duke marrë parasysh se kjo është pjesë e hetimeve, nuk mund të flasë shumë për këtë çështje, por policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave, apo të dyshimtët që i ka identifikuar për kryerjen e veprave të ndryshme ndaj gazetarëve, KFOR-it, apo policisë, dhe jemi dike punuar në kryerjen e veprimeve tona ashtu siç e parasheh ligji… Kemi arrestuar disa persona, disa të tjerë janë në kërkim, kështu që kjo punë vazhdon”, u shpreh Elshani.

Nënkoloneli Elshani pranon se shqetësim për Policinë e Kosovës në veri mbetet funksionimi i strukturave paralele.

“Unë konsideroj se Policia këtu si të stabilizohet mirë situata, do të ketë punë me prishje të rendit dhe qetësisë publike, me dhunë në familje, dhe mandej kalojmë te krimi ekonomik, financiar dhe krimi i organizuar që duhet të luftohen… Duhet të kalohen edhe disa tema të tjera si strukturat paralele të cilat janë funksionale këtu, që të dimë saktë se si të veprojmë me to, duke marrë parasysh se të gjitha informacionet veç i kemi, dhe pas marrjes së veprimeve tona ne do të dimë se nga duhet të lëvizë zhvillimi i këtij vendi”, deklaroi Elshani.

Elshani thotë se situata e përgjithshme në veri të Kosovës megjithatë ka ndryshuar për të mirë, duke thënë se është ndërtuar besimi i qytetarëve ndaj policisë dhe se janë afër qytetarëve.

“Policia ka arritur të jetë afër qytetarëve, qytetarët konsideroj se e kanë parë që jemi këtu për ta, tash me ardhjen edhe të 74 zyrtarëve shtesë këtu qëndrimi i tyre ndaj neve dhe në përgjithësi situata ka ndryshuar. Konsiderojmë se jemi më afër tyre dhe ata më afër neve me probleme… Për shembull më shumë raste të dhunës në familje janë të paraqitura më shumë për gjashtë mujorin e këtij viti, kur pothuajse të gjithë këtu ishim shqiptarë, sesa në gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Kështu që besimi (mes qytetarëve dhe policisë v.j.) veç është krijuar, është duke u ndërtuar, forcuar, mirëpo këtu problemi është më shumë politik”, tha zëvendësdrejtori Elshani.

Ndryshe, situata në komunat më veriore të vendit është tensionuar nga data 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill tentuan të hyjnë në objekte komunale. Më 29 maj pati tensionim të situatës kur persona të armatosur të nacionalitetit serbë përdorin dhunë ndaj forcave të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve duke lënë të lënduar me dhjetëra persona.