Katër personat që dhunuan me shkopa bejsbolli një 30-vjeçar disa ditë më parë në Korçë janë dorëzuar në polici.
Kontrollet intensive të policisë në banesat e familjarëve, të afërmve, vendet ku mund të fshiheshin 4 autorët e plagosjes së 30 vjeçarit Ramadan Hasani në ambjentet e një lavazhi në Korccë, bëri që të dorëzohen në komisariat paraditen e së dielës autorët Spartak Selimi, Kristi Selimi, Marsel Xhakollari dhe Erion Gura.
Arratia e 4 autorëve zgjati 3 ditë, dhe në pamundësi për të qëndruar akoma të fshehur, ata janë vetëdorëzuar në komisariatin e policisë së Korçës.
30 vjeçari i cili ra pre e sulmit të autorëve, pas një konflikti për motive të dobëta, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në pamjet e siguruara, i riu vrapon dhe futet në ambientet e një servisi për t’i shpëtuar personave që po e ndiqnin nga pas me shkopinj bejsbolli në duar.
Ai ka mundur të futet në ambientet e servisit, ku në fillim një prej personave e ka goditur me shkop, dhe pak sekonda më vonë kanë mbërritur dhe tre të tjerë. I riu ka tentuar edhe një herë që t’i shpëtojë dhunës, por nuk kam mundur dhe është goditur nga të katërt personat.
Edhe pse në servis ka pasur disa të tjerë prezent, duket se askush nuk ka tentuar që t’i ndajë. 30-vjeçari i identifikuar si Ramadan Hasani, ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se konflikti ka nisur në datë 14 mars mes Hasanit, Selimajt dhe vëllait të këtij të fundit.