Prokuroria Themelore e Pejës ka lëshuar fletarrest ndaj rep-artistit Rigels Rajku i njohur me nofkën Noizy, i cili po kërkohet lidhur me incidentin që ndodhi ditë më parë në një diskotekë në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.
“I njëjti nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim, i bëjmë apel këngëtarit që të paraqitet tek organet kompetente”, ka thënë Nikçi.
Përveç Noizyt, Nikçi tha se po kërkohen edhe personat tjerë që dyshohen të jenë përfshirë në rastin e ndodhur në orët e para të 1 gushtit.
Më 1 gusht, Policia njoftoi se dy persona ishin pranuar në Spitalin Rajonal të Pejës e të cilët kishin deklaruar se ishin sulmuar në një diskotekë. Po ashtu, policia kishte bërë të ditur se lidhur me rastin nuk kishte asnjë të arrestuar.
“Rreth orës 3:37 stacioni policor në Pejë është njoftuar nga spitali rajonal i Pejës se kanë pranuar dy persona të lënduar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar me viktimat dhe të njëjtit kanë deklaruar se deri sa kanë qenë në një diskotekë, janë sulmuar nga persona të panjohur të cilët u kanë shkaktuar lëndime trupore dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, përmes një postimi në rrjete sociale, këngëtari kishte mohuar përfshirjen në incidentin në Pejë.
“Une nuk preka asnjë person atë natë në Pejë. Në momentin kur ika nga skena dhe sapo kam hyrë në dhomën e ndrrimit dmth (Backstage) (aty ku ishte personi në fjalë bashkë me 3 shokët e tij) është sulmuar nga plot djem që shumicën nuk i njoh dhe sja kam idenë se kush janë. Jam shtang nga kjo gjë se ndodhi aq shpejt dhe pa pritur dhe nuk pata shancin të them as një gjysëm fjale. Sapo nisi përleshja, sigurimi me shpejtësi më ka shoqëruar jashtë discos në makinë dhe kemi ikur, bashkë me 2 shokët e mi që kisha me vete. Prandaj dhe në video nuk dukem unë, sepse unë nuk kam qenë aty në atë moment. Vetem di të them se unë isha në punë kur ai vendosi me ardhë mem ra në qafë sepse i kishte premtuar dikujt një natë më para në TikTok ku thot “do iki ne backstage te Noizy dhe do bëj pompa”. Dhe, pse ka pas aq shumë njerz në backstage kur ti vendose të hyje aty se di, por di të them se kështu ndodh në çdo koncert, hyjnë e dalin plot njerz Fansat/Kamarjer/Sigurima/Miq/Koleg etj. Mirëpo, nëse do mu jepte mundësia me kthy prapë atë moment sdo e lejoja asnjë me e prekë por do ti thoja turp të vije se je 40 vjeç babë me fmi. Por mësova më mbrapa, se aty në atë dhomë kishte shar shumë njerz tjerë dhe jo veç mua, këto janë pasojat kur goja stë ndalet për audiencë në TikTok”, kishte shkruar ai.
Në anën tjetër, një diskotekë në Kosovë ka paralajmëruar se do të performojë sonte në lokalin e tyre, këngëtari i cili është në kërkim.