Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ende në Serbi, s’dihet kur do të kthehet trupi i Faton Hajrizit në Kosovë

 
   

Thuajse një javë pasi u vra nga zyrtarë policorët në Lloznicë të Serbisë gjatë kohës sa ishte në arrati, trupi i Faton Hajrizit vazhdon të jetë në Serbi. Gjersa avokati i familjes Hajrizi ka deklaruar se kthimi i trupit të të ndjerit është çështje kohe dhe procedurash.

Mirëpo, avokatë të tjerë thonë se kjo mund të zgjasë duke pasur parasysh raportet mes dy vendeve.

“Çështja e kthimit të trupit të Fatonit, e ka marrë kahjen e vet. Do të kthehet. Vetëm është çështje kohe dhe procedurash!”.

Kështu shkruan, avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci gjatë pritjes në morgun e Lloznicës së Serbisë, ku besohet se po mbahet trupi i Faton Hajrizi, që është raportuar i vrarë nga policia serbe.

E nga udhëtimi atje, Koci rrëfeu edhe reagimet e policëve serbë kur e panë të ketë arritur në Policinë e Lloznicës.

“‘Ka ardhë në policinë e Lloznicës avokati i Faton Hajrizit’- dëgjoheshin përshpërimat. ‘Në moment më erdhi shumë rëndë kur të pashë. E kam pasur shok të mirë policin e vrarë. Ardhjen tëndë e cilësova si provokim’ – më tha hetuesi pasi që e filluam zyrtarisht takimin. ‘Po e përsëris: më befasoi guximi i yt’. Tensioni filloi me rënë. E mbaja distancën në bisedë, me sjellje të mira dhe profesionale. ‘Pjesa tjetër e punës, duhet të kryhet në Beograd. Në prokurori’ – më tha oficeri, pas disa orësh”, ka thënë Koci.

Një javë pasi dyshohet se u vra nga zyrtarë policorët në Lloznicë të Serbisë derisa ishte në arrati, trupi i Hajrizit vazhdon të jetë në Serbi.

E ndonëse avokati Koci e konsideron si çështje procedurash kthimin e tij, në Kosovë po vlerësohet se rol negativ në këtë çështje do luajnë edhe raportet në jo të mira mes dy vendeve.

Si rregull, dy javë ka kaluar kur kemi pasur të bëj me shtete komunikimi me të cilat ka qenë normal dhe vlerësoj që së paku aq do jetë me shtetin konkret, por me mundësi që kjo kohë të zvarritet sepse Serbia përpiqet ta shfrytëzoj këtë momentum”, ka thënë avokati Ardian Bajraktari.

Bajraktari beson se procedura e autopsisë së trupit të Hajrizit duhet të përsëritet edhe një herë pas kthimit në Kosovë.

“Sa kam informata, procesi i autopsisë është përfunduar dhe brenda ditëve ose javëve në vazhdim do të kthehet. Kur jemi tek fqinji verior, si shkak i mendësisë së vjetër që vazhdon të mbizotëroj, nuk ka komunikim fare dhe i njëjti zhvillohet përmes mekanizmave ndërkombëtarë e kjo sigurisht që e komplikon procesin. Vlerësoj se duhet t’i bëhet një autopsi edhe në Kosovë për faktin se raporti në Serbi nuk është e mundur t’i shuaj dilemat”, ka shtuar Bajraktari.

Televizioni ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me ecurinë e procedurave dhe pritshmëritë për kthimin e trupit të të ndjerit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Njëjtë ka vepruar edhe Ministria e Drejtësisë.