Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, sipas të gjitha gjasave nuk do të takohen këtë javë për ta menaxhuar krizën ashtu siç i ka ftuar kryediplomati evropian, Josep Borrell.
As Kosova e as Serbia nuk i kanë kthyer ende përgjigje zyrtare përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, rreth ftesës për takim gjatë javës së ardhshme.
Kryeministri Albin Kurti tha të shtunën se në ditët në vijim do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takim.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë një ditë më parë se fillimisht BE-ja ka paraparë që takimi të mbahej më 22 qershor, pastaj është shtyrë për datën 23.
Ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se e konsideron të pakuptimtë që të flasë me të parin e ekzekutivit kosovar.