Prishtinë-Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të mërkurën, Enver Sekiraqa gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se qëndron para çdo deklarate të dhënë më parë dhe të nënshkruar nga ai.
“Unë qëndrojë para çdo deklarate që unë e kam dhënë edhe që kom nënshkru, para çdo fjalie, para çdo germe, dhe s’kam asgjë të për të ndryshuar as shtuar për atë çka unë e kam thënë dhe e kam nënshkruar”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kosovare Kelmendi avokate e të akuzuarit Enver Sekiraqa, ka thënë se meqenëse i mbrojturi i saj, ka dhënë deklarata të shumta, ai qëndron prapa tyre, marrë parasysh edhe sugjerimet Gjykatës së Apelit që në rigjykim të eliminohen mangësitë në raport me provat materiale.
“Po ashtu duke ju referuar sugjerimit të Gjykatës së Apelit, aktit akuzues respektivisht aktakuzës, mbrojtja nuk ka pyetje për të akuzuarin sepse për këto pothuajse 14 vite asgjë e re nuk është shfaqur dhe as nuk ka rezultuar ndonjë provë apo deklarim që gjerë më tani nuk është administruar”, ka shtuar ajo duke thënë se Sekiraqa do përgjigjet në pyetjet e prokurorisë dhe trupit gjykues.
As prokurori special Shpetim Peci, nuk kishte pyetje për të akuzuarin, duke thënë se kjo çështje është kthyer disa herë në rigjykim dhe se në secilin rast është mohuar kryerja e veprës penale.
“Çdo herë kur është deklaruar në bazë të procesverbaleve ka mohuar veprën penale, kryerjen e veprës penale nuk është paraqitur ndonjë rrethanë re prandaj mohimi dhe besimi i turpit gjykues për deklarata e mëparshme të të akuzuarit do te elaborohet në kuadër të fjalës përfundimtare”, ka thënë ai.
Seanca është duke vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarit Sekiraqa nga trupi gjykues.
Ndryshe, seanca e 30 gushtit 2023 ishte ndërprerë me kërkesën e prokurorit special Burim Çerkini, i cili ishte në zëvendësim të prokurores së çështjes Merita Bina-Rugova, me arsyetimin se nuk ishte i gatshëm të bëjë elaborimin e provave materiale.
Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.
Të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023.
Edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, të cilat do të dërgjoheshin përmes video-lidhjes.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.