Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Epopeja e UÇK-së: Numër i madh i qytetarëve në ndezjen e flakadanëve në Prekaz

 
   

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kulmoi sonte në Prekaz me natën e zjarreve. Në 27-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, qindra qytetarë janë mbledhur në ritin tradicional të natës së zjarreve. Aty u nderua dhe kujtua lufta e lavdishme dhe sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe mbi 50 anëtarëve të tjerë të familjes Jashari. “Vend të shenjtë” e “Mekë te shqiptarëve” e konsiderojnë Prekazin qytetarët nga e gjithë vendi, raporton KosovaPress.

Djali i Ilir Shaqirit, këngëtarit i cili për familjen Jashari ka krijuar shumë tekste këngësh, Korabi thotë se Prekazi të mbush me jetë.

Shaqiri: Prekazi është “Meka” e shqiptarëve

“Kjo është Meka e shqiptarëve. Ky është vendi i cili të mbush me jetë, me krenari dhe të bën t’i thuash vetës që jam krenar se jam shqiptar. Unë nuk e di nëse ka një vend tjetër në botë që mund të jesh më krenar se sa kur vjen këtu”, tha ai.

Korab Shaqiri thotë se Prekazi është vend motivimi për gjithë shqiptarët.

Shaqiri: Është një ndjenjë që pak popuj në botë e kanë

“Është një ndjenjë që pak popuj në botë e kanë ose fare. Jemi shumë me fat edhe jemi populli më i veçantë që mund të kemi diçka të tillë dhe mund të kemi një vend lavdije dhe një vend ku vijnë e kujtojmë. Ne si artiste, kompozitor ose shkrues të disa këngëve dhe veprave, duhet të marrim sa më shumë prej këtyre ngjarjeve të vërteta dhe duhet t’i lëmë si histori”, tha ai.

Avdullah Zenuni nga komuna e Shtërpcës, që nga viti 1999, vjen çdo vit në natën e zjarreve.

Zenuni: Sa të jem me shëndet asnjëherë nuk do të mungojë në Prekaz

“Vend më të shenjtë për mua si Avdullah nuk ekziston në rruzullin tokësor. Jam shumë i emocionuar kur flas për Prekazin, për familjen e Jasharëve në krye me komandantin Adem Jashari emocionohem pa masë…. 26 vjet asnjëherë nuk kam munguar. Në 99-tën deri në Prekaz kam ardhur me lloç, asnjëherë nuk kam munguar dhe sa të jem me shëndet të mirë nuk besoj se do të mungojë”, u shpreh ai.

Edhe Burim Krasniqi nga Hasi flet me emocione pas ndezjes së flakadanëve në Prekaz.

Krasniqi: Është shenjë e forcës dhe popullit tonë

“Është shenjë e forcës, është shenjë e tërë popullit tonë…. kënaqësia më e madhe që nuk din njeriu me thënë as me fjalë as me asgjë, vetëm zemra i di këto emocione”, përfundoi ai.

Riti tradicional simbolizues “Nata e Zjarreve”, shënon përfundimin e manifestimit në këtë 27 vjetor, të njohur si Epopeja e UÇK-së.

’’Nata e Zjarreve“ ka vazhduar me program kulturor-artistik në sheshin ’’Adem Jashari’’ në Skenderaj.