Presidenti i Turqisë Rexhep Tayyip Erdogan dënoi praninë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të cilën ai e konsideroi si “turp”.
“Është vërtetë një burim turpi që një kriminel (Netanyahu), i cili kreu gjenocid në Palestinë, mund të zërë vendin e tij nën çatinë e OKB-së. Kjo është një tradhti ndaj kujtimeve të foshnjave, fëmijëve, nënave, baballarëve, zyrtarëve të OKB-së, gazetarëve dhe shumë të tjerëve që janë vrarë brutalisht”, u tha Erdogan gazetarëve të mërkurën, raporton Anadolu.
Netanyahu u nis për në New York në orët e para të së enjtes, tha Zyra e Kryeministrit. Kryeministri izraelit pritet të mbajë fjalim të premten në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sipas mediave lokale.
“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ose do ta trajtojë vrasësin (Netanyahun) ashtu siç e meriton, ose kjo situatë e turpshme do të hyjë në historinë e OKB-së si një njollë e zezë”, shtoi ai.
OKB-ja është në një pozicion ku nuk është në gjendje të përmbushë misionin e saj për të parandaluar luftërat, nuk është në gjendje të mbrojë as zyrtarët e vet dhe nuk është në gjendje të kërkojë llogari nga Izraeli për vrasjen e tyre, tha Erdogan.
Ai theksoi gjithashtu se OKB-ja ka humbur funksionalitetin e saj dhe është bërë një strukturë që ruan një sistem në të cilin “i fuqishmi ka të drejtë”.
Në lidhje me sulmet izraelite në Liban, ai tha se Turqia do t’i ofrojë mbështetje Libanit për t’u rimëkëmbur dhe do të mendojë si ta kthejnë atë në gjendjen origjinale. “Dëshira jonë është që
Libani ta kalojë traumën sa më shpejt”, tha presidenti turk.
Tags: Benjamin NetanyahuErdoganOKB