Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Erdogan: Të fyesh myslimanët nuk është liri e mendimit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi Suedinë për lejimin e një proteste gjatë së cilës një person dogji disa faqe të Kuranit, duke mjegulluar më tej shanset e vendit nordik për tu bërë vend anëtar i NATO-s.

Irakiani Salwan Momika, 37 vjeç, i cili jeton në Suedi e kreu protestën jashtë xhamisë kryesore të Stokholmit pasi policia suedeze dha leje për mbajtjen e këtij aktiviteti.

“Ne do t’i mësojmë përfundimisht perëndimorët arrogantë se fyerja e myslimanëve nuk është liri e mendimit”, tha Erdogan në një fjalim televiziv.

Në Irak një numër protestuesish u futën në ambasadën e Suedisë në Bagdad të enjten, të zemëruar nga djegia e Kuranit në Stokholm.

Një turmë mbështetësish të klerikut shiit, Moqtada Sadr, qëndruan brenda kompleksit për rreth 15 minuta, më pas u larguan ndërsa forcat e sigurisë u vendosën në objekt.

Protesta ndodhi pasi Momika shkeli librin e shenjtë të myslimanëve dhe ndezi disa faqe të tij përpara xhamisë më të madhe të Stokholmit.

Kjo nuk është hera e parë që në Stokholm mbahen protesta në të cilat është lejuar djegia e Kuranit. Në janar, në Stokholm një person dogji Kuranin, që çoi në reagim të ashpër të Turqisë.

Ky incident thelloi mospajtimet mes Ankarasë dhe Stokholmit, teksa Turqia ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

Turqia ka thënë se bllokimi që i ka bërë Suedisë ka të bëjë me dështimet e këtij shteti për të shtypur grupet kurde, që Ankaraja i cilëson “terroriste”. /REL