Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja “mbështet fuqishëm” grupin palestinez, Hamas, që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Askush nuk mund të na detyrojë që ta shpallim Hamasin organizatë terroriste”, tha ai gjatë një fjalimi në Stamboll më 9 mars.
“Turqia është një shtet që flet hapur me udhëheqësit e Hamasit dhe i mbështet fuqishëm”, shtoi ai.
Endogan ka qenë një prej kritikëve më të ashpër të Izraelit që kur ka nisur lufta në Gazë.
Lufta në Rripin e Gazës nisi pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur ekstremistët palestinezë vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë, shkruan REL.
Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme të pareshtura tokësore dhe ajrore dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, deri më tani në enklavën palestineze janë vrarë mbi 30.000 persona, shumica gra dhe fëmijë.
Erdogan e ka quajtur Izraelin “shtet terrorist” dhe e ka akuzuar se po kryen “gjenocid” në Rripin e Gazës.