Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të martën se Turqia është e përkushtuar për t’i përndjekur ndjekësit e dyshuar të klerikut të ndjerë, Fethullah Gulen.
“Do të vazhdojnë të luftojmë FETO-n derisa të zhduket krejtësisht”, ka thënë Erdogan para pjesëtarëve të partisë së tij, duke e përdorur akronimin zyrtar për grupin e Gulenit.
Qeveria turke e konsideron lëvizjen Hizmet të Gulenit si terroriste.
Erdogan e ka përshkruar Gulenin si “kryetradhtar”.
Ankaraja e fajëson rrjetin e Gulenit për organizim të puçit të dështuar në Turqi, më 2016, dhe prej atëherë ka arrestuar mbështetësit e dyshuar të grupit.
Gulen, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara prej vitit 1999, ka vdekur në një spital në Pensivlani në mbrëmjen e së dielës, ka bërë të ditur lëvizja e tij të hënën.
Gulen ka qenë aleat i Erdoganit deri më 2013. Vetë Guleni e ka mohuar përfshirjen në tentimet për puç dhe e ka akuzuar Erdoganin se ai vetë i ka orkestruar ato zhvillime.
Më 15 korrik 2016, një fraksion i ushtrisë turke ka tentuar të kryejë puç kundër Qeverisë së Erdoganit. Përpjekjet kanë dështuar dhe më shumë se 250 njerëz kanë vdekur e mbi 2.000 janë plagosur, shkruan REL.
Nën gjendje të jashtëzakonshme, Qeveria e Erdoganit i ka përjashtuar nga puna më shumë se 100.000 shërbyes civilë dhe ka arrestuar dhjetëra mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit.
Vëzhguesit presin që lëvizja e Gulenit të shpërbëhet pas një kohe, pas vdekjes së udhëheqësit të saj.