Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Escobar ia bën të qartë Kurtit: Sulmet ndaj Lajçak janë të papranueshme! Kosova ka detyrime

I dërguari i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka komentuar në një intervistë për Zërin e Amerikës dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, teksa më 14 shtator në Bruksel nuk u arrit asnjë dakordësi mes palëve.

Escobar kërkon nga qeveria e Kosovës që të përmbushë detyrimet, ndërsa një mesazh e ka edhe për Serbinë, të cilës i thotë se nuk duhet të bëjë asnjë veprim destabilizues brenda në Kosovë. Escobar foli edhe për sulmet ndaj Lajçak, të cilat tha se janë të papranueshme.

Zëri i Amerikës: Çfarë u kuptua nga takimet e bëra me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor? A u treguan bindës në angazhimin për të vazhduar në rrugën e integrimit euroatlantik që ata kanë zgjedhur?
Gabriel Escobar: Kjo varet se me cilët udhëheqës ishte takimi, apo jo? Mund t’ju them tashmë se jam i shqetësuar se po shohim të marrë trajtë një Ballkan i dy shpejtësive. Kemi në njërën anë anëtarët e NATO-s që janë shumë të përkushtuar ndaj orientimit të tyre në NATO dhe atij evropian, dhe pastaj kemi tre të tjerët që po vështirësohen. Prandaj në takimet e mia, unë kam thënë në mënyrë të përsëritur se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugëtimin euroatlantik për të gjithë ata. Dhe do të donim që të zgjidhnin dallimet e brendshme dhe rajonale që po i pengojnë të përparojnë.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni emrat e personave për të cilët po flisni?

Gabriel Escobar: Më lejoni t’ja filloj me Maqedoninë e Veriut. E falenderoj Maqedoninë e Veriut për rolin e arsyeshëm udhëheqës dhe rolin udhëheqës evropian, si kryesuese e OSBE-së. Mendoj se ajo që Maqedonia e Veriut provon vazhdimisht është se janë një partner shumë i mirë. Dhe në këtë drejtim, do të donim ta shihnim pjesë të Bashkimit Evropian si një partner shumë i mirë edhe aty. Shqipëria ka qenë e shkëlqyer në përqasjen për vendin që ka në Këshillin e Sigurimit, si dhe në rrugë dypalëshe dhe në kuadrin e NATO-s. Me Malin e Zi, patëm disa takime shumë të mira me presidentin e ri. E siguruam atë se është një partner i mirëpritur dhe i rëndësishëm i komunitetit transatlantik dhe i bëmë thirrje të inkurajojë krijimin e një qeverie ku marrin pjesë vetëm palë të përqëndruara tek Evropa dhe të përkushtuara ndaj NATO-s. Dhe ai tha se do të veprojë kështu. Pra, ne jemi të kënaqur që e mori këtë mesazh të rëndësishëm dhe që ai do të ndërmarrë veprime për këtë.

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për Bosnjën, dhe pastaj do t’ju pyes gjithashtu edhe për Serbinë.

Gabriel Escobar: Patjetër. Siç e dini, Bosnja ka disa sfida shumë të mëdha. Mendoj se sfida më e madhe tani është se Dodiku po sfidon bazat e stabilitetit dhe sigurisë të Bosnjë-Hercegovinës për mbi 25 vjet – që është pra Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, si dhe të gjitha strukturat brenda saj, përfshirë paqeruajtjen dhe përfaqësuesin e lartë. Pra kjo është realisht sfida më e madhe për Bosnjë-Hercegovinën në këto momente. Kështu që së bashku me zërat e përgjegjshëm duhet të zgjidhim se si ta forcojmë Dejtonit dhe si ta lëvizim përpara Bosnjë-Hercegovinën përgjatë rrugëtimit të saj evropian.

Zëri i Amerikës: Siç u njoftua të hënën, Serbia nuk iu bashkua zgjatjes së sanksioneve ndaj Rusisë. A patët mundësinë ta diskutonit këtë çështje me Presidentin Vuçiç këtu në Nju Jork, dhe çfarë i thatë atij?

Gabriel Escobar: Nuk e kam takuar Presidentin Vuçiç. Do të doja ta them që ne mendojmë se Serbia duhet të vendosë sanksione. Nuk ka ndonjë detyrim ligjor për të vepruar kështu dhe është qartësisht një vend që mund të drejtojë vetë politikën e tij të jashtme. Por nuk është në të mirë të imazhit të Serbisë që të qëndrojë në periferi të familjes evropiane. Pra kjo është ajo që e kemi thënë vazhdimisht dhe do ta përsëris.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë arsye të veçantë përse nuk e takuat Presidentin Vuçiç? A do ta takoni?

Gabriel Escobar: Është thjesht çështje e momentit të duhur. Shpresoj ta takoj këtë javë.

Zëri i Amerikës: Serbia dhe Kosova janë ende në një rënie të gjatë. A ka ardhur koha për një lloj përqasjeje të re nga BE-ja dhe SHBA-ja që do të ndikonte tek vendosmëria e tyre?

Gabriel Escobar: Jo. Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm “po apo jo”. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrellit ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian.

Zëri i Amerikës: Cili është komenti juaj për kritikat e shprehura nga Kryeministri Kurti për ndërmjetësin Miroslav Lajçak?

Gabriel Escobar: Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme.

Zëri i Amerikës: Edhe diçka në lidhje me Malin e Zi, që nuk ka ende qeveri. Ju thatë se patët mundësinë t’i diskutoni disa çështje me Presidentin Milatoviç. Për çfarë biseduat me të dhe a përcollët rekomandimin amerikan për të mos përfshirë në qeveri ish-Frontin Demokratik, të cilin e konsideroni anti-perëndimor?

Gabriel Escobar: Nuk e kam takuar ende Presidentin Milatoviç. Do të takohem me të. Por ai pati takime shumë të rëndësishme, shumë frutdhënëse dhe shumë pozitive me Këshilltarin Chollet, me Sekretarin e Shtetit, dhe me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë. Në të gjitha këto takime, Shtetet e Bashkuara ishin shumë të qarta se duam të shikojmë vetëm palë që janë të përqëndruara tek integrimi evropian dhe të përkushtuara ndaj NATO-s dhe që ndajnë gjithashtu pozicionin tonë për sa i përket çështjes së Rusisë. Mendoj se jemi shumë të qartë për këtë dhe ai sinjalizoi se është dakort për këtë. Pra duam që të shohim formimin e qeverisë, por duam ta inkurajojmë atë (Presidentin Milatoviç) t’i bashkojë palët. Ai ka një rol shumë të rëndësishëm si kreu i shtetit, që t’i japë popullit mesazhin e duhur. Pra jemi të sigurtë që e kuptoi atë që donim të thonim.

Top Channel