Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Escobar: Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit

 
   

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, zv/ndihmës sekretari amerikan Gabriel Escobar, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhje të Qeverisë ka deklaruar se ka urdhëruar bartjen e pronave.

E Escobar në konferencë të përbashkët për media në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur vendimin.

“Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap”, ka thënë Escobar.

Ai ka thënë se me presidenten e Kosovës ka pasur bisedë të hapur e të sinqertë edhe për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Escobar e ka quajtur Osmanin garantuese kryesore të raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit. Presim dhe e ftojmë Serbinë që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, por jo vetëm. Siç e përmendi presidentja Osmani, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike. Ftojmë Serbinë të vazhdojë me zbatimin. Nuk duhet vetëm përpjekja unilaterale e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, ka thënë Escobar.