Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Escobar: Nuk ecet përpara me populizëm e nacionalizëm

Të parës që iu dha fjala në një panel diskutimi në “Forumin e Dubrovnikut”, ishte zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla. Që në deklarimin e parë, ajo vendosi ta sulmojë Bashkimin Evropian me fjalë të rënda. Ashpër s’i reagoi Miroslav Lajçak, emisari për dialogun që ishte i ulur pak metra më larg, por “brutalisht”, emisari amerikan, Gabriel Escobar, vendosi t’i thotë disa fjalë për atë që paraprakisht, e tha ministrja e Qeverisë Kurti. Çka ndodhi?

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë një paneli diskutimi e sulmoi rëndë Bashkimin Evropian, duke e quajtur “tigër prej letre”.

Unë vlerësoj që BE-ja nuk munden, dhe njëjtë ka thënë edhe një analist gjerman para disa ditësh, sepse nuk është e aftë të ofrojë siguri, arsyet dihen. Nuk ka vullnet politik, ka shumë jounitet në bllok, dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre kur vjen puna te siguria.” – deklaroi fillimisht ajo.

Që në fillim kur iu dha fjala, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e bëri të qartë se nuk pajtohet me Gërvallën.

Dhe më vjen keq që duhet të “dalloj” nga kolegia ime në Kosovë, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashakëpunimit të BE-së dhe ShBA-së.” – u shpreh ai.

Veç kësaj, Escobar la të kuptohet se në Kosovë ka lidership popullist, me të cilin, “nuk mund të ecet përpara”.

Rajoni është bërë një rajon me dy rrugë, njëra ato që janë në NATO, janë më stabile, dhe janë fuqishëm në rrugën drejt BE-së, dhe të tjerat, janë ato që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e rajonit derisa kanë sfidat e tyre.” – deklaroi ai fillimisht.

Tutje, Escobar u shpreh si vijon: “Ndryshimi është se shtetet që janë në NATO dhe kanë bërë progres, janë ato që kanë kaluar sfidën e rivalitetit etnik…Ndërsa ato që vazhdojnë të kenë lidership që beson që popullizmi, nacionalizmi, rivaliteti etnik janë rruga përpara, janë ato që po kanë më shumë sfida”.