Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

EULEX-i me shef të ri, Misionit i zgjatet mandati deri në qershor 2025

Këshilli i BE-së emëroi sot një shef të ri të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX. Giovanni Pietro Barbano do të zëvendësojë Lars-Gunnar Wigemark.

BE-ja njofton se Barbano është me gradë Gjeneral Major në kuadër të Karabinierëve italianë dhe drejtor aktual i Qendrës së Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit në Vicenza, Itali.

Mandati i tij si Shef i EULEX-it në Kosovë do të zgjasë nga 26 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025.

Vendimi për të emëruar Barbanon u mor nga vendet anëtare të BE-së në Komitetin Politik dhe Siguri (KPS).

Për më tepër, Këshilli së fundi e zgjati mandatin e misionit deri më 14 qershor 2025 dhe në përputhje me rishikimin e fundit strategjik të EULEX-it në Kosovë, vendosi që, përveç vazhdimit të zbatimit të detyrave të tij, misioni do të ndihmojë autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës, duke zhvilluar kapacitetet e tyre për të shkëmbyer informacione me homologët rajonalë dhe ndërkombëtarë në fushën e asistencës ligjore dhe bashkëpunimit në çështjet penale.

EULEX Kosova filloi në vitin 2008 si misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian.

Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është të ndihmojë autoritetet e Kosovës në krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit, me fokus në fushën e policisë, gjyqësorit dhe doganave dhe përmes shtyllave të monitorimit dhe operacioneve.

Sipas mandatit aktual të EULEX-it, misioni ndërmerr aktivitete monitoruese dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive, duke përfshirë si reagues të nivelit të dytë të sigurisë.

EULEX-i vazhdon të mbështesë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës. Misioni punon në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.