Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviqit, ende po mbahet në burg në Serbi.
Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano është zyrtari i radhës që ka reaguar ndaj këtij ndalimi.
Ai ka thënë se EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e vazhdueshëm të Jankoviqit.
“EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e vazhdueshëm të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq në Serbi. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në rast që t’u përmbahen parimeve të sundimit të ligjit gjatë gjithë procesit”.
Një ditë më parë autoritetet e Kosovës njoftuan se 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës u ndaluan në Serbi, përfshirë zëvendësdrejtorin Jankoviç. Pesë nga ta ishin liruar ditën e mërkurë ndërsa katër pjesëtarë të tjerë sipas autoriteteve janë liruar të enjten.
Kryeministri Albin Kurti tha se veprimi i Serbisë është akt i ultë hakmarrjeje ndaj suksesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe shkelje e të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë.
Lexo po ashtuNdalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese
Presidentja Vjosa Osmani e cila mori sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të policisë së Kosovës, u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtare që të rrisin përpjekjet kundër veprimeve të tilla.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se Jankoviqit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh nga autoritetet serbe, nën akuzat për “prishje të rendit kushtetues”, ndërsa theksoi se ngjarjet e djeshme janë precedentë të rrezikshëm dhe paraqesin kërcënim për sigurinë në rajon.
Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiç, tha të enjten se ndalimet janë pjesë e veprimeve për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shprehu shqetësimin për ndalimin e zotit Jankoviq në Serbi.
“Jankoviq është i njohur mirë nga ambasada amerikane dhe të tjerë. Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre”, tha ambasadori Hovenier.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde shkoi në rrjetet sociale se ndalimi i zyrtarëve të Kosovës të zbatimit të ligjit, përfshirë serbët, nga autoritetet e Serbisë është i papranueshëm dhe sigurisht jo ajo që mund të pritet nga një vend kandidat i Bashkimit Evropian.