Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

EULEX: Sistemi i drejtësisë në Kosovë me mangësi në trajtimin e rasteve të profilit të lartë

 
   

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tërhoqi vërejtjen të hënën për mangësitë e sistemit të drejtësisë në vend në trajtimin e rasteve të profilit të lartë që lidhen kryesisht me korrupsionin. Në një raport të publikuar pas vëzhgimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë gjatë periudhës shtator 2022 deri në maj 2024, theksohet se një numër i konsiderueshëm i rasteve të profilit të lartë shënuan përparim të ngadaltë si gjatë hetimeve dhe ashtu edhe gjatë procedurave gjyqësore.

“Sa i takon trajtimit të rasteve të proflit të lartë, që shpesh janë raste të korrupsionit, shumë prej tyre fatkeqësisht nuk kanë shënuar përparim domethënës, edhepse janë në proces për vite me radhë, duke rrezikuar të parashkruhen që do të thotë se nuk mund të gjykohen më. Ndërkaq shumë prej rasteve të proflit të lartë të cilat kanë shënuar përparim, kanë përfunduar me lirim nga akuza, duke përfshirë disa ish raste të EULEX-it. I ftojmë organet e drejtësisë të rishikojnë nëse këto raste janë gjykuar në mënyrë të duhur”, tha shefi i njësisë për monitorimin e rasteve në EULEX, Hubert van Eck Koster.

Sipas të dhënave të raportit 230 nga 821 seanca gjyqësore apo rreth 28 për qind e seancave të vëzhguara nga EULEX-i ishin joproduktive.

“Për krahasim, në raportin tonë të vitit 2022 kjo përqindje ishte më e ultë, apo 26 për qind, por ishte 30 për qind në raportin e vitit 2021 dhe rreth 50 për qind kur misioni ynë nisi këtë process të mbikqyrjes në vitin 2018. Ende mbahen shumë seanca gjyqësore pa ndonjë përparim kuptimplotë, duke shkaktuar vonesa të panevojshme në përmbylljen e rasteve. Gjithashtu gjykatat vazhdojnë të ngurrojnë në shqiptimin e sanksioneve të nevojshme të parapara me ligj për të shmangur veprimet që shkaktojnë këto vonesa”, tha zoti Koster.

Përfaqësues nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor i Kosovës thanë se po përpiqen të ngrisin kapacitetet e tyre por edhe bashkërendimin ndërinstitucional për t’i trajtuar shqetësimet që ngrit raporti, ndonëse theksuan sfidat, si buxheti i ultë, si pengesë në punën e tyre.

“Secili prokuror do të mbahet përgjegjës për vonesat e paarsyeshme të hetimit penal si dhe mungesës së paarsyeshme në gjykimet e rasteve të profilit të lartë. Do të ndjeken nga afër të gjitha rastet dhe do të bëhet takimi me kryeprokurorët të vendit për të trajtuar mangësitë në akuzat e profilit të lartë që kanë rezultuar me lirim nga akuza”, tha kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj.

“Në mënyrë konsistente, ashtu siç në fakt edhe raporti ka vlerësimin pra sistematik, buxheti i institucioneve tona është në limite të mbijetesës që kufizon shumë burimet tona në kuptimin njerëzor, teknologjik por edhe të ekspertizës që ne të përmbushim misionin në mënyrën se si realisht janë pritjet e qytetarëve por edhe për të përmbushur përveç tjerash edhe masat që i referohen vendit tonë në rrugën e integrimit”, tha kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë Giovanni Pietro Barbano, tha se Kosova ka aftësinë dhe mundësinë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian por rruga drejt kësaj kërkon përkushtim të palëkundur ndaj sundimit të ligjit.

“Vullneti politik, pavarësia gjyqësore dhe angazhimi aktiv qytetar përbëjnë forcën lëvizëse të nevojshme për të mbyllur boshllëkun ndërmjet ligjit dhe shkallës së zbatimit të tij. Vetëm nëpërmjet përpjekjeve të qëndrueshme Kosova mund të ndërtojë një sistem të drejtësisë i cili jo vetëm që përmbush standardet evropiane por gjithashtu ndan drejtësi kuptimplotë ndaj të gjithë qytetarëve”, tha ai.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, që deri vonë njihej si raporti i progresit, thuhet se ndonëse është shënuar përparim në shkallën e përmbylljes së çështjeve civile, aftësia e gjyqësorit dhe e prokurorisë për të trajtuar rastet në kohë të duhur mbetet e kufizuar, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Aty theksohet se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar në përgjithësi në luftimin e korrupsionit duke nënvizuar se rekomandimet nga viti i kaluar mbesin gjerësisht të vlefshme./VOA