Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Familja Mustafa mirëpret letrën e Haxhiut dërguar Serbisë, pak kanë shpresa

 
   

Qamil Mustafa, djali i Tefik Mustafës, i arrestuar në Serbi, ka thënë se mirëpresin letrën që ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu i ka dërguar autoriteteve serbe përmes së cilës ka kërkuar që kosovarët e arrestuar të transferohen në Kosovë.

Ai ka thënë se kanë pak shpresa që kjo letër ka me pas ndonjë ndikim.

“Mirëpresim veprimin e ministres Haxhiu, mbesim më shpresë. Besoj që babës ka me ju vazhdu qëndrimin atje. Dy javë nuk kanë lejuar ta vizitojë askush, kemi qenë të shqetësuar”, ka thënë ai.

Qamil Mustafa, ka treguar se babi i tyre ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe siç u ka thënë avokati i tij, ka pas ankesa për kushtet e trajtimit.

Ai ka treguar se ndaj Tefik Mustafës janë paraqitur pesë dëshmitarë, ku katër nga ta nuk janë marrë parasysh dhe i fundit nuk ndodhet në Beograd dhe siç u ka thënë avokati duhet deri në tre muaj që të përfundojnë këto procedura.

Mustafa ka thënë se kanë dorëzuar të gjitha dëshmitë nga Italia dhe Gjermania me të cilët vërtetojnë se babai i tyre gjatë luftës nuk ka qenë në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu ka njoftuar të hënën, se javën e kaluar përmes një letre drejtuar Ministrisë së Serbisë ka kërkuar që qytetarët e Kosovës të arrestuar nga Serbia e që po mbahen në burgje të kthehen në Kosovë.

Ajo ka thënë se kosovarët e arrestuar, Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, duhet të kthehen në Kosovë dhe të gjykohen paanshëm.