Qindra qytetarë nga gjitha vendet e Kosovës kanë përkujtuar 25-vjetorin e masakrës në Reçak duke vendosur kurora lulesh pranë 45 të vrarëve e të masakruarëve nga forcat policore serbe. Ndërsa, nga Kompleksi Memorial në Reçak të njëjtit kanë bërë thirrje për drejtësi dhe kanë kërkuar nga institucionet që të punojnë në këtë drejtim pasi sipas tyre kanë kaluar shumë vite dhe ende nuk ka të burgosur për këto krime.
Të shumtë janë ata që humbën familjarë në këtë masakër. Qytetarja, Remzie Bardhi nga fshati Magure, e cila ka humbur djalin e vëllait kujton ditën kur mori lajmin për humbjen e tij.
Mes lotëve, ajo rrëfen për lajmin që mori për vrasjen e nipit 20 vjeçar.
Bardhi: E vështirë ka qenë për familjarët
“E kemi dëgjuar në lajme, e lexuam dhe doli ky, e shtatë familjarë tonë janë këtu…I ka pas 20 vjeç…Kam harruar (edhe bisedën e fundit me të)…Ka lënë edhe një vëlla e dy motra, ndërsa dy pleqtë janë mbet në shtëpi…Për gjithë ka qenë vështirë, por çfarë të bëjmë…Atë natë që i kanë vra, në mbrëmje e kemi kuptuar që i kanë vra, në lajme të mediave të Shqipërisë i dëgjojshim të disa kushëri, e thash të gjithë i paskan mbyt, se gjithë kanë qenë aty në shtëpi, kur doli ky dhe gjithë kushëririt tjerë, thash shyqyr që kanë shpëtuar të tjerët…Por, pa dhënë dikush, nuk po vjen liria, kanë vra shumë kështu”, tha Bardhi.
Ajo është shprehur falënderuese përherë ndaj ish-ambasadorit, William Walker për jehonën ndërkombëtare që i bëri kësaj masakre.
Bardhi: Mirënjohës përher Walkerit
“Shyqyr që ka qenë (Wiliam Walker) e i ka qit në drite, se i kishin humb si shumë vende që i kanë humbur e nuk po i gjejnë”, shtoi.
E koha e sotme, ia kujton 15 janarin e vitit 1999-të, Aziz Beqirit, të mbijetuarit të kësaj masakre.
Beqiri derisa rrëfen tmerrin e asaj dite, thotë se pavarësisht lutjeve që të paktën serbët të mos marrin pjesë në varrim, nuk ishte e realizueshme.
Beqiri: 15 janarin e kujtojmë si një tmerr të madh për vendin
“15 janarin e kujtojmë si një tmerr të madh për vendin, sepse 45 kufoma janë vrarë dhe masakruar në ketë katund. Dhe sot kur jam zgjuar në mëngjes, dita e sotme më është dukur e ngjashme me atë ditshin që ka ndodhur…Në 06:45 minuta, kanë qenë krismat e para dhe jam dalë prej shtëpisë, dhe thash na paskanë rrethuar serbët. Unë jam dalë në mal me disa shokë, por nuk e kemi ditë se çfarë po ndodhë deri e kuptuam…Gjithë ditën me 16 qashtu, ndërsa në mbrëmje na thanë t’i tubojmë në xhami dhe t’i varrosim…Më pas kur i kanë lëshuar kufomat, kemi thirr ndihma prej tre katundeve, sepse e kemi pas me afat kohorë, dhe për varrim serbët nuk janë tërhequr, kemi qenë në vëzhgim të tyre”, rrëfen Beqiri.
Beqiri derisa falendëron Walker, kërkon nga shteti të punojë më shumë për zbardhjen e krimeve.
Beqiri: Janë bërë 25 vjet dhe nuk është burgosur askush
“Shteti ka bërë boll edhe William Walker (ish-kryesuesi i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99) e ka fol të drejtën qysh ka qenë, dhe shpresojmë të dëgjojmë gjithmonë mirë për të…(Shteti) shpresojmë tutje bëjnë diçka, se janë bërë 25 vjet dhe nuk është burgosur askush”, shton Beqiri.
Se shpesh të rënët për liri po harrohen nga shteti e thotë, Halil Krasniqi babë i dy djemve dëshmorë.
Krasniqi derisa viziton varrezat e të vrarëve në këtë masakër, thotë se shteti duhet t’i kryej punët që i ka borxh ndaj tyre e mos t’i harrojë ata që dhanë jetën për liri.
Krasniqi: Shteti duhet t’i kryej punët që i ka borxh ndaj tyre
“E kujtojmë me shumë dhimbje të madhe, por më shumë s’po kemi çfarë të bëjmë. Jemi ardhur t’i vizitojmë, nuk duhet t’i harrojmë. Por, është rendi qe armiqtë që e kanë bërë këtë mos t’i duam më, me qenë kundër tyre për çfarë na kanë bërë…Shteti duhet t’i kryej punët që i ka borxh, mos t’i harrojë”, tha Krasniqi.
Edhe qytetari, Rexhep Merturi i cili ka ardhur nga qyteti i Klinës për vizitë në Kompleksin Memorial, shprehet i zhgënjyer me shtetin që sipas tij, nuk ka bërë mjaftueshëm për të rënët për liri.
Merturi: Shteti po i harron të rënët
“Fajtori është Serbia, ndërsa shteti jonë brenda mundësive ka bërë çfarë ka pas mundësi, mirëpo këta pak më tepër po ja mbajnë gjërave tjera, po i harrojnë këta që kanë rënë e ne sot jemi. Veç liria që kemi nuk paguhet me asgjë”, përfundoi Merturi.
Në Kompleksin Memorial në Reçak, homazhe kanë bërë edhe krerët e shtetit bashkë me ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker.