Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

FDA miraton pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut

Zyrtarët amerikanë kanë miratuar pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut, duke u dhënë mundësi grave dhe vajzave amerikane ta blejnë atë ashtu siç blejnë aspirinat apo solucionet për pastrimin e syrit.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha të enjten se dha miratimin për pilulën Opill të kompaninë Perrigo e cila merret një herë në ditë pa recetën e mjekut, duke e bërë atë ilaçin e parë të tillë që zhvendoset nga seksioni i farmacisë në raftet e dyqaneve. Kompania nuk do të fillojë dërgimin e pilulës me postë deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe nuk do të ketë kufizime moshe në shitjen e saj.

Pilulat e bazuara në hormone kanë qenë prej kohësh forma më e zakonshme e kontrollit të lindjes në SHBA, e përdorur nga dhjetëra miliona gra që nga vitet 1960. Deri më tani, të gjitha kërkonin recetë nga mjeku.

Shoqëritë mjekësore dhe organizatat për shëndetin e grave kanë kërkuar qasje më të gjerë, duke vënë në dukje se rreth 45% e 6 milionë shtatzënive vjetore në SHBA janë të paplanifikuara. Adoleshentët dhe vajzat, gratë me ngjyrë dhe ato me të ardhura të ulëta njoftojnë për pengesa më të mëdha në marrjen e recetave dhe ilaçeve.

Disa nga sfidat mund të përfshijnë pagesën për vizitën e mjekut, lejen nga puna dhe gjetjen e kujdesit për fëmijët.

“Ky është me të vërtetë një transformim në qasjen ndaj kujdesit kontraceptiv,” tha Kelly Blanchard, presidente e Ibis Reproductive Health, një grup jofitimprurës që mbështeti miratimin. “Shpresojmë që kjo do t’i ndihmojë njerëzit të kapërcejnë ato barriera që ekzistojnë tani”.

Perrigo me bazë në Irlandë nuk njoftoi një çmim për pilulën. Barnat pa recetë janë përgjithësisht shumë më të lira se ato me recetë, por ato zakonisht nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore.

Detyrimi i siguruesve për të mbuluar kontrollin e lindjeve pa recetë do të kërkonte një ndryshim rregullator nga qeveria federale, të cilin mbështetësit për çështjet e grave po i kërkojnë administratës Biden ta zbatojë.

Shumë medikamente të zakonshme janë bërë pa recetë në dekadat e fundit, përfshirë barnat për dhimbje, urth dhe alergji. Pilulat kontraceptive janë të disponueshme pa recetë në pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut, Azisë dhe Afrikës.

Kompania Perrigo dorëzoi studime të bëra prej vitesh në FDA për të treguar se gratë mund të kuptonin dhe ndiqnin udhëzimet për përdorimin e pilulës. Miratimi i së enjtes erdhi pavarësisht disa shqetësimeve nga shkencëtarët e FDA-së në lidhje me rezultatet e kompanisë, përfshirë atë nëse gratë me kushte të caktuara mjekësore do të kuptonin se nuk duhet ta merrnin ilaçin.

Veprimi i FDA-së vlen vetëm për pilulën Opill. Ajo është në një klasë më të vjetër të kontraceptivëve, të quajtur ndonjëherë minipilula, që përmbajnë një hormon të vetëm sintetik dhe në përgjithësi kanë më pak efekte anësore sesa tabletat më të njohura të kombinimit të hormoneve.

Por avokatët e shëndetit të grave shpresojnë se vendimi do të hapë rrugën për më shumë opsione për kontrollin e lindjeve pa recetë.

Vendimi i FDA-së nuk ka asnjë lidhje me betejat e vazhdueshme gjyqësore mbi pilulën e abortit mifepristone. Studimet në aplikimin e kompaninë Perrigo për të marrë miratimin nga FDA-ja filluan vite përpara anulimit të Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit.

Për shkak të kufizimit të të drejtave riprodhuese në disa shtete, FDA-ja është përballur me presion nga politikanët demokratë, mbrojtësit e të drejtave të qasjes në shëndetësi dhe profesionistët mjekësorë për të lehtësuar qasjet tek medikamentet që ofrojnë kontroll për lindjet. Shoqata Mjekësore Amerikane dhe shoqëria kryesore profesionale për mjekët obstetër dhe gjinekologë mbështetën aplikimin e pilulës Opill pa recetë.

Një panel i jashtëm i këshilltarëve të FDA-së votoi njëzëri në favor të ndryshimit në një seancë dëgjimore në maj, ku dhjetëra kërkuan miratimin e pilulës Opill.

Pilulat më të reja të kontrollit të lindjes zakonisht kombinojnë dy hormone, estrogjenin dhe progestinën, të cilat mund të ndihmojnë për t’i bërë periodat më të lehta dhe më të rregullta./VOA