Ai tha se fëmijët nuk duhej të arrestoheshin, por duhej të monitoroheshin ose provokoheshin nga policia, në mënyrë që të zbulohej dhe komunikimi që ata do të kishin me njëri-tjetrin për deklaratat dhe mbrojtjen që do t’i bënin vetes.
“Duke i mbajtur nën përgjim, mund të zbulonin kush është autori, përmes diskutimeve. Ata do diskutonin mbi mbrojtjen që do bënin, mbi autorin që do i linin fajin dhe si do maskoheshin”, u shpreh ai duke folur për një emision televiziv.
I pyetur nëse fëmijët, të cilët ndodhen në paraburgim, rrezikojnë nga ndonjë hakmarrje, ai tha se mirë do të ishte që policia t’i mbante në ambiente më të veçanta dhe distante nga të burgosurit e tjerë.
“Nuk përjashtohet mundësia që dikush nga të burgosurit e tjerë të ndërmarrë ndonjë akt dhune apo dhe më tej, kundër këtyre personave. Të paraburgosur, apo burgosur me një problematikë të tillë, duhet bërë një trajtim veçmas dhe mbajte e kufizuar në kontakte me të burgosurit e tjerë”, u shpreh ai.